Futboll

Anglia dënohet nga UEFA me një ndeshje pa tifozë, por Shqipëria nuk përfiton

Një ndeshje me dyer të mbyllura dhe një gjobë për Anglinë, për shkak të incidenteve të ndodhura në “Wembley” para finales së Europanit me Italinë. UEFA e ka dënuar Anglinë edhe me një ndeshje të dytë pa tifozë, por ajo është pezull dhe do të hyjë në fuqi vetëm në rast se do të ketë sërish rrëmuja për dy vitet e ardhshme.

Qeveria e futbollit europian e ka dhënë dënimin me motivin “mungesë rregulli dhe disipline brenda dhe përreth stadiumit gjatë ndeshjes”. Më 12 nëntor Anglia pret Shqipërinë në “Wembley” për kualifikueset e Botërorit, ku dënimi i UEFA-s nuk ka fuqi, sepse ky aktivitet organizohet nga FIFA. Kuqezinjtë nuk përfitojnë në këtë rast. Anglia udhëheq Grupin I, me 3 pikë diferencë nga Polonia.

Nga trazirat e tifozeve angleze para finales se Europianit. Gazeta Si, 18 tetor 2021

“Edhe pse jemi të zhgënjyer, e prisnim këtë dënim, - shkruan Federata Angleze e Futbollit në një komunikatë zyrtare. – Dënojmë sjelljen e tmerrshme të disa individëve që kanë shkaktuar skena të turpshme atë mbrëmje. Na vjen shumë keq që disa spektatorë nuk arritën të hynin në stadium për shkak të këtyre trazirave.

Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që duhet, në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten në të ardhmen dhe për këtë kemi nisur një hetim autonom, në krye të të cilit është Baronesha Casey. Në të njëjtën kohë, po punojmë me autoritetet, duke i mbështetur për çdo masë që do të marrin ndaj personave përgjegjës”.

Momentet e tensionit para finales së Europianit u regjistruan gjatë mbërritjes së tifozëve në “Wembley”. Disa tifozë anglezë nisën të hidhnin sende të forta dhe kënduan kore kërcënuese ndaj italianëve. Rrëmujat vazhduan edhe në stadium, ku disa tifozë u futën pa biletë. Po ashtu, trazira në këtë stadium pati edhe gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit me Hungarinë, por këtë herë fajtorë ishin tifozët miq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë