Ne rrjet

Angela Merkel për herë të parë në Aushvic, gjen fjalët e duhura

Ka disa vite që po shtohen zërat në Gjermani, që kërkojnë që e shkuara t’i lihet së shkuarës dhe t’i jepet fund përballjes së përhershme me fajin, me të cilin e ka ngarkuar nacionalsocializmi Gjermaninë. Njëkohësisht po shtohen krimet e nxitura nga urrejtja ndaj hebrenjve.

Të dyja këto kuptohet që janë në një kontekst. Para dy muajsh gjetën vdekjen dy vetë nga një ekstremist i djathtë, i cili, në ditën më të rëndësishme të festës hebraike, Jom Kippur, tentoi të sulmonte një sinagogë të mbushur me besimtarë në Halle (Saale). Në fund ishte vetëm rastësia që e shmangu masakrën. Hebrenjtë në Gjermani sërish kanë nisur të kenë frikë për jetën e tyre. Kjo është një e vërtetë e tmerrshme!

Historia duhet rrëfyer vazhdimisht

Përkon me personalitetin pragmatist e të kthjellët të kancelares, që vizitën e saj të parë në ish-kampin gjerman të shfarosjes e zhvillon me ftesë të Fondacionit Aushvic-Birkenau. Fondacioni angazhohet për ruajtjen e monumenteve përkujtimore. Konform kësaj linje të menduari pasoi fjalimi i Merkelit, se kujtimi dhe sidomos përgjegjësia gjermane nuk marrin fund kurrë. Historia duhet rrëfyer vazhdimisht – “përherë e përherë”. “Aushvici ishte një kamp shfarosjeje i ngritur nga gjermanët”. Kjo përgjegjësi mbetet gjithmonë pjesë e identitetit kombëtar dhe nuk do të marrë fund asnjëherë.

Kushdo, që ka qenë në Aushvic, e merr me mend sesa të vështirë mund ta ketë një kancelare gjermane që të gjejë fjalët e duhura në atë vend. Angela Merkel i gjeti. Ajo nuk mjaftohet me mpirjen e pafjalë të ndjenjës së fajit. Por nxjerr opsione fare të qarta veprimi për të tashmen. “Nuk është thjeshtë retorikë të tërhiqet vëmendja për krimet e reja që burojnë nga intoleranca”, tha Merkel. Edhe sot po përjetojmë racizëm dhe fjalime që nxisin urrejtje. Antisemitizmi po bëhet kërcënim jete për hebrenjtë në Gjermani e në Europë. Dhe Aushvici i vë detyrën kujtdo që të angazhohet në mbrojtje të dinjitetit të tjetrit.  “Nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ky kapitull nuk duhet të mbyllet kurrë. Dhe as nuk duhet të relativizohet.”

Solidaritet me hebrenjtë

Prej 14 vjetësh Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë dhe solidariteti i vetëdijshëm me hebraizmin dhe kujtimi reflektues i mizorisë së nazistëve janë përbërës të pandashëm të mandateve të saj si kancelare. Ajo ka qenë pesë herë në memorialin izraelit të Holokaustit, Yad Vashem, më 2009-ën, me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Barack Obama, ishte në kampin e përqendrimit Buhenvald (Gjermani), më 2013-ën vizitoi të mbijetuarit në kampin e përqendrimit Dahau (Gjermani), më 2015-ën ishte aty sërish me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të tij.

Tani kancelarja ishte për herë të parë në Aushvic, kampi, që si asnjë vend tjetër, simbolizon krimet e nazistëve e që konsiderohet si metafora e vrasjeve masive industriale. Mbi një milionë njerëz u vranë aty. Për mua, si gjermane, është tronditëse dhe turpëruese ta them: Që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë është më e rëndësishme se kurrë që ajo shkoi atje pikërisht tani: Në një kohë, kur antisemitizmi dhe nacionalizmi po rigjejnë vend në parlamentin gjerman – dhe kur hebrenjtë sërish kanë frikë të lëvizin lirshëm në rrugët dhe sinagogat e Gjermanisë. 

Ines Pohl, Kryeredaktore e DW

 

Më Shumë