Futboll

Andres Iniesta mediton rikthimin te Barcelona

"Një rikthim i mundshëm te Barcelona? Dua të luaj akoma futboll, por kam një kontratë deri në vitin 2021 në Japoni. Ndoshta ky moment relaksi do të më japë mundësinë të mendoj për diçka tjetër”. Janë fjalët e Andres Iniestës, mesfushorit të Visel Kobe në kampionatin japonez, ku spanjolli kaloi sezonin e fundit, pasi i dha lamtumirën Barcelonës.

Kampioni i Botës dhe i Europës ka folur për “Onda Cero”, duke dhënë në një farë mënyre një sinjal të rikthimit te katalanasit. Me fanellën e Barcelonës ka fituar gjithçka në karrierë dhe sigurisht që është shumë i lidhur. Iniesta firmosi me Visel Kobe në Japoni në maj të 2018-ës dhe gjatë kësaj kohe e ka treguar klasin e tij, edhe pse në moshën 35-vjeçare. Ai është i vendosur të vazhdojë të luajë, pasi gjykon se ka ende për dhënë para se të varë “këpucët në gozhdë”.

Andres Iniesta me fanellën e Barcelonës. Gazeta Si, 8 prill 2020

Iniesta nuk e ka pranuar hapur, por kuptohet që e dëshiron rikthimin te Barcelona. Nëse kjo do të realizohej, do të ishte e njëjta histori si me portierin veteran italian, Xhanluixhi Bufon, i cili u largua nga Juventusi, por u rikthye pas një viti aktivizim me PSG-në. Edhe nëse nuk kthehet si lojtar, me siguri Andres Iniesta do të kthehet në klubin katalanas si drejtues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë