Analize

Anders Tegnell dhe eksperimenti suedez me Covid-19

Financial Time- Në fillim të këtij viti, Anders Tegnell ishte thjesht një burokrat me profil të ulët në një vend me 10 milionë banorë, që drejtonte një departament me detyrë kryesore mbledhjen edhe analizimin e të dhënave të shëndetit publik. Sot, ai është një ndër emrat publikë më të njohur, e njëkohësisht më kontravers, që prodhoi pandemia e koronavirusit.

Mjeku 64-vjeçar suedez duhej të kalonte 2020 duke ndihmuar Somalinë në ngritjen e një agjencie shëndeti publike dhe të dërgonte formularë me pyetësore suedezëve për problematikat kryesore që shqetësojnë shëndetin e tyre. Në vend të kësaj, qasja e tij ndaj Covid-19, duke mbajtur shkollat, restorantet, palestrat dhe kufijtë hapur dhe duke refuzuar karantinën e shndërruan në një emër që ka përçarë shoqëritë, jo vetëm në Suedi.

Për shumë suedezë, kryeepidemiologu i tyre zbatoi një qasje racionale në një kohë që vendet e tjera u udhëhoqën nga emocioni dhe jo shkenca në marrjen e masave kufizuese. Ata e quajnë deri në hero për këmbënguljen dhe bindjen për të mbrojtur atë që besonte në një kohë që e gjithë pjesa tjetër e botës ishte kundër.

Mbështetja e publikut suedez për Tegnell ka qenë gjithmonë e lartë në një kohë ku jeta, megjithëse ndryshe nga përpara Covid-19 rridhte më shumë normale se në shumë vende të tjera. Ky është heroi i suedezëve, që nuk i mbylli dhe ka raportime se qytetarët po shkojnë deri atje sa të tatuojnë imazhin e tij në trup, ndërsa nga disa amerikanë e britanikë është quajtur “kampion i lirive” që ndjejnë se humbën gjatë periudhës së izolimit.

Një qytetar suedez me imazhin e Anders Tengell të bërë tatuazh në krah

Megjithatë, një pakicë në Suedi dhe shumë të tjerë në mbarë botën, figura e Anders Tegnell është problematika. Partitë populiste suedeze i kanë kërkuar dorëheqjen për shkak se qindra të moshuar kanë humbur jetën në azilet e vendit. Rritja e numrit të vdekjeve e ka katapultuar Suedinë të pestën në Europë për numër banorësh, pesë herë më shumë se Danimarka dhe dhjetë herë më shumë se Norvegjia dhe Finlanda.

Për disa ekspertë vendas, kokëfortësia e Tegnell nuk duhet të frymëzojë askënd. “Ai është i njohur për kokëfortësinë e tij. Besoj e imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur në Suedi nëse do të ishte një person tjetër në pozicionin e tij”, thotë një epidemiolog suedez, kritik i Tegnell. Edhe mediat ndërkombëtare janë treguar të ashpra ndaj strategut suedez që refuzoi mbylljen.

Njeriu kaq i adhuruar, por edhe i përbuzur e urryer punon në një ndërtesë me lagështi në veri të Stokholmit, pranë spitalit më të madh të kryeqytetit suedez. Tegnell del i qeshur dhe i shlodhur nga ndërtesa e agjencisë së shëndetit publik veshu me një bluzë polo ngjyrë blu. Është një ditë e ngrohtë e fundit të gushtit dhe ne ulemi për të shfrytëzuar rrezet e diellit të mesditës. Biseda jonë nis në mënyrën klasike të Tegnell; duke mbrojtur qasjen e tij ndaj koronavirusit.

“Në fillim (të pandemisë) diskutuam gjatë për qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor dhe mendoj se ne e menaxhuam mirë këtë pjesë, e në të njëjtën kohë të jemi pak rezistues ndaj masave të përkohshme. Kuptuam se nuk do të ishte e lehtë, që kjo nuk do të largohej për një kohë të shkurtër dhe masat afatshkurtra nuk na bënin punë. Jemi përballë një sëmundjeje që na duhet të përballemi për një kohë të gjatë dhe nevojitet që të përgatisim dhe ngremë sisteme të afta për ta përballuar”, thotë Tegnell me një vetëbesim të thellë dhe të qartë.

Tegnell “merr në dorë frenat e bisedës” dhe ajo zhvendoset në këndvështrimin e tij. Në një kohë që rastet e reja me koronavirus rriten në pjesën më të madhe të vendeve europiane, që ka çuar te frika e një vale të dytë të pandemisë, në Suedi rastet e reja pakësohen vazhdimisht që prej fundit të muajit korrik.

Suedia raporton shumë më pak raste të reja me Covid se shumë vende të tjera të Europës

Numri i infektimeve të reja në raport me popullsinë është 90 për qind më pak se në pikun e krizës, në fund të qershorit dhe për herë të parë pas gjashtë muajsh poshtë Norvegjisë dhe Danimarkës. Tegnell e ka thënë që në Pranverë se për të parë se cili vend ka zgjedhur strategjinë e duhur duhej pritur vjeshta dhe shifrat deri duket se po i japin të drejtë.

Sot, arkitekti i qasjes liberale suedeze ndaj Covid-19 thotë se vendi i tij do të ketë përhapje të virusit në nivele të ulta, me shpërthime rastësore lokale. “Mendoj që në vende të tjera, situata do të jetë më kritike. Mendoj se ata janë më vulnerabël ndaj rritjes së rasteve, duke qenë se nuk kanë një nivel imuniteti të mjaftueshëm për të frenuar rritjen e kurbës”, thotë Tegnell.

“Imuniteti i tufës” është koncepti më kontravers që ka prodhuar kriza e Covid-19. Tegnell thotë me bindje se synimi i Suedisë nuk ishte që të lejonte qarkullimin e lirë të virusit deri kur të ishte infektuar popullsia e mjaftueshme dhe infeksioni të ngadalësohej vetë. Por, ai shton se imuniteti i fituar po ndihmon në reduktimin e rasteve të reja dhe vë në pikëpyetje sesi do të përballen fqinjët e Suedisë me heqjen e masave kufizuese. “Çfarë e mbron Kopenhagenin sot? Duhet të presim e të shohim”, thotë ai, duke nënkuptuar se në kryeqytetin danez mund të ketë shpërthim të pandemisë.

Qasja suedeze e pazakontë ndaj koronavirusit pjesërisht është edhe pasojë e sistemit qeverisës të pazakontë të këtij vendi. Ndryshe nga pjesa tjetër e botës, në Suedi vendimet e mëdha në lidhje me pandeminë nuk i marrin politikanët, por agjencia e shëndetit publik, për shkak të Kushtetutës që u jep fuqi të madhe autoriteteve dhe institucioneve të pavarura. Kjo do të thotë se në këtë rast, Kushtetuta ja la në dorë Tegnellit. “E gjithë kjo qasje është e Tegnellit dhe Qeveria e ka pranuar pa e vënë asnjëherë në dyshim”, thotë një epidemiolog kritik ndaj Tegnell.

Kjo e drejtë që i buronte nga Kushtetuta i forcoi bindjen për të qëndruar i vetëm përballë gjithë botës që mbyllej në izolim. Por, a nuk do të ishte më mirë që të kishte ecur me rrymën, e ndoshta t’i kishte kursyer vetes kritikat që mori? “Sigurisht që po, por unë nuk jam vetëm”, thotë Tegnell, duke nënkuptuar se është në krye të një agjencie me 500 ekspertë që i dëgjon dhe u merr mendime për çdo vendim, që ka pas edhe Qeverinë që e ka mbështetur në çdo vendim dhe vetë pjesën më të madhe të qytetarëve suedezë.

I vetmi vend tjetër në Europë që nuk u mbyll ishte Bjellorusia. Tegnell refuzon që të krahasohet me të. “Nuk ka asnjë krahasim”, thotë ai, duke komentuar edhe si “të pazakontë mbështetjen që ka marrë nga mbështetësit e vijës së ashpër të Brexit në Angli dhe nga “libertarianët” amerikanë.

Atij nuk i pëlqejnë izolimet dhe këtë e thotë hapur. “Është njësoj si të përdorësh një çekiç për të vrarë një mizë”, këmbëngul ai. Në vend të kësaj, Tegnell ka zgjedhur një strategji në gjendje që të funksionojë për vite me radhë nëse do të jetë e nevojshme, sesa të ndryshojë vendimet e shpeshta që do të çorodisnin shoqërinë dhe ekonominë e vendit.

Profili suedez i pandemisë dallon thelbësisht nga ai i vendeve të tjera nordike

“Nuk e shohim të duhur mbylljen drastike, hapu-mbyllu. Nuk mund të hapësh e të mbyllësh shkollat, restorantet dhe biznese të tjera. Mund ta bësh një herë, ose dy, por jo vazhdimisht. Kjo do të lodhte njerëzit dhe bizneset do të vuanin më shumë sesa t’i mbyllje fare”, mendon ai.

Qasja suedeze ndaj koronavirusit ishte konceptuar që të mbante në punë sistemin shëndetësor, të shmangte kolapsin e tij, por edhe të ofronte normalisht shërbimet e tjera dhe jo të përqëndrohej e harxhonte energji vetëm në përpjekjet për të ulur vdekjet nga Covid-19. Për këtë arsye, sportet për fëmijë nuk u mbyllën, e po ashtu edhe shkollat fillore dhe as baret dhe restorantet.

Në Stokholm rrallë gjen persona që mbajnë maskë. I them Tegnell se nëse një alien zbret në Suedi, vështirë se do ta merrte vesh që bota është në mes të pandemisë, ndryshe nga Anglia e Franca, ku maskat i sheh ngado.

Tegnell e pranon se mbajtja e maskës mund të reduktojë përhapjen e virusit, por thotë se nuk ka ndonjë dallim të madhe mes sjelljes së suedezëve dhe vendeve të tjera të Europës ndaj pandemisë. Suedia është ndër të paktat vende që nuk rekomandon mbajtjen e maskës në publik, ndërsa në pjesën tjetër janë po aq të prekur si kudo. Suedezët udhëtojnë më pak, vizitojnë më pak fqinjët dhe hotelet e restorantet vërtet nuk janë mbyllur, por janë goditur pothuajse aq sa hotelet e restorantet në vende e tjera nordike.

Ekonomia e Suedisë është prekur po aq sa ekonomitë e vendeve të tjera skandinave

Ai thotë se distancimi fizik dhe rregullat e tjera kufizuese ekzistojnë edhe në Suedi, megjithëse më të moderuara se në pjesën tjetër të Europës. “Jemi përpjekur që të identifikojmë aktivitetet dhe mjediset ku mund të shkaktohen me qindra infektime”, shpjegon Tegnell.

Papritur një vajzë bjonde afrohet nga pas dhe pasi i dhuron një përqafim i thotë në suedisht: “E dija që do të të gjeja këtu!”. Tegnell ma prezanton si vajzën e tij, Emily, gjithashtu mjeke. Ai thotë se edhe vajza tjetër, Annemiek punon në sistemin shëndetësor si infermiere.

“Më ndihmojnë në detyrën time, sepse më japin një këndvështrim tjetër dhe më real sesi janë gjërat në terren. Më vjen të qesh kur më thonë se nuk jam më një mjek i vërtetë, por një burokrat”, tregon Tegnell.

Brenda pak muajve Tegnell është bërë suedezi më i famshëm brenda dhe jashtë vendit. Por, vetë nuk i pëlqen kjo famë. “Është surreale. Për mua përbën problem dhe as që ishte në ambiciet e mia kjo”, shprehet ai. Kritikat i pranon dhe mirëpret, por jo kur janë të tepruara, si në rastet kur e kanë krahasuar me Hitlerin dhe Stalinin. “Kjo s’është në rregull”, thotë ai, duke treguar edhe se i është drejtuar policisë për disa kërcënime me vdekje që ka marrë.

Tegnell e përjashton skenarin e mbylljes së shkollave, ndërsa në qershor tha se “bota po çmendej”, pas vendimeve të vendeve europiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u izoluar. Nuk është as fans i maskave.

“Maskat duken si zgjidhje e lehtë, por unë nuk kam besim tek zgjidhjet e lehta për një problem kaq kompleks”, thotë ai, ndërsa ul euforinë që mund të prodhojë dalja e një vaksine të mundshme ndaj virusit.

“Edhe njëherë, nuk u besoj zgjidhjeve të thjeshta të problemeve komplekse. Ndaj, nuk besoj se sapo të dalë vaksina ne do t’i rikthehemi jetës normale. Ky është një mesazh i gabuar që japin, sepse edhe pas vaksinës nuk ka për të qenë kaq e lehtë”, shton ai.

Burimi: Financial Times. Përshtati në shqip gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë