Futboll

Ançeloti në fije të perit, Hysajn mund ta stërvisë Gatuzo ose…Reja

Është momenti i llogarive te Napoli i Elseid Hysajt. Trajneri Karlo Ançeloti është treguar shumë i ashpër me futbollistët e tij, nga nesër ata do të jenë të grumbulluar. Një masë ndëshkuese që nuk është shoqëruar me replika. Këtë herë vendimin e ka marrë trajneri Ançeloti dhe lojtarët e kanë pranuar, por ka nga ata që mendojnë se kjo zgjedhje e tij nuk është mënyra e duhur për të sheshuar problemet.

Napoli vazhdon të jetë në kaos që më 5 nëntor, kur lojtarët nuk iu bindën urdhrit të presidentit De Laurentis për një grumbullim të detyruar. Atë kohë ndodhi gjithçka dhe më pas Napoli problemet i ka shfaqur dukshëm edhe në fushë. Pas humbjes me Bolonjën në shtëpi, trajneri Ançeloti rrezikon shkarkimin. Pozitat e tij janë lëkundur ndjeshëm, madje De Laurentis po mendon që tani për pasuesin. Vendimtare janë dy ndeshjet e radhës, Udineze dhe Genku, që nëse nuk kalohen me sukses, do të sjellin largimin e Ançelotit. Emri më i lakuar për stolin e Napolit është ai i Rino Gatuzos, i kontaktuar edhe nga Fiorentina, pasi Komiso e sheh si zëvendësuesin e duhur të Montelës. Ish-trajneri i Milanit mund të marrë detyrën për ta nxjerrë fillimisht Napolin nga kjo krizë, më pas do të diskutohet për të ardhmen.

Ançeloti dhe Hysaj. Gazeta Si, 3 dhjetor 2019

Por nuk është vetëm Gatuzo. Një emër tjetër që është përmendur për marrjen e drejtimit të Napolit në këtë moment delikat është edhe ai i Edi Rejës, trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë. Reja e ka drejtuar më parë këtë skuadër dhe e njeh mirë ambientin dhe presidentin De Laurentis. Në fatk, Reja ka rënë dakord për rinovimin e kontratës me presidentin Duka, por ende nuk e ka hehdur firmën. Për momentin, nuk ka asgjë zyrtare, por nuk do të ishte çudi që Hysaj të stërvitej nga trajneri i Kombëtares edhe tek ekipi i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë