Shendet

Analiza e OBSH/ S’ka shëndetësi falas, shqiptarët paguajnë nga xhepi

Një analizë e  fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) tregon se pagesat nga xhepi për shëndetin, janë një burim kryesor i vështirësive financiare për njerëzit në Shqipëri. Rreth 8% e familjeve janë  të varfra ose varfërohen më tej pasi paguajnë nga xhepi, e 12% përjetojnë shpenzime katastrofike shëndetësore. Vështirësia financiare e shkaktuar nga pagesat është përqendruar shumë midis pjesëve më të varfra të popullsisë dhe ky sektor gjithnjë e më shumë drejtohet nga shpenzimet e familjeve për ilaçe ambulatore.

Një hendek i madh në mbulimin e popullsisë dhe pagesat e mëdha minojnë mbrojtjen financiare.

Në analizën e OBSH tregohet se e drejta për pjesën më të madhe të kujdesit shëndetësor të financuar publikisht në Shqipëri, është e lidhur me pagimin e kontributeve në fondin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.  Për rrjedhojë kjo e bën të vështirë mbulimin e të gjithë popullsisë në kontekstin e një sektori të madh informal.  Në analizë përcaktohet se  një e treta e popullsisë është e pasiguruar dhe duhet të paguajë pothuajse të gjitha shërbimet shëndetësore nga xhepi.

“Kjo është vetëm një arsye pse mbrojtja financiare është e dobët dhe nivelet e nevojës së paplotësuar për shëndetin dhe kujdesin dentar janë të larta. Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar aksesin në kujdesin parësor për njerëzit e pasiguruar, duke u ofruar atyre kontrolle vjetore falas në 2015 dhe vizita falas te mjekët e përgjithshëm në 2017. Këto masa janë të mirëpritura, por nuk adresojnë boshllëqe të tjera të rëndësishme në mbulim,” thuhet më tej në analizën e publikuar në faqen zyrtare të OBSH.

Gjithashtu përcaktohet se njerëzit e pasiguruar paguajnë koston e plotë të testeve diagnostikuese, ilaçeve dhe kujdesit specialist jo-urgjent, ndërsa ata që janë të siguruar paguajnë bashkë-pagesa deri në 50% të çmimit të referencës për ilaçet e përshkruara nga pacientët e jashtëm.  Sipas analizës nuk ka përjashtime që synojnë specifikisht njerëzit me të ardhura të ulëta ose shumicën e njerëzve me gjendje kronike; as nuk ka ndonjë kufizim vjetor për pagesat shëndetësore. Një tjetër fakt që parashtrohet është se gjatë periudhës nën analizë, pagesat nga xhepi për ilaçet ambulatore u rritën nga 53% në 76% të të gjitha shpenzimeve të familjeve për shëndetin.

Ndërkaq OBSH ka këshilluar se të gjitha familjet  në Shqipëri duhet të kenë akses në shërbimet e nevojshme shëndetësore, pavarësisht nga statusi i sigurimit shëndetësor. Sipas OBSH për të realizuar këtë gjë duhet të merren tri masa kryesore.

  1. Lidhja e të drejtës së sigurimit shëndetësor nga pagesa e kontributeve, në mënyrë që fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor të mbulojë automatikisht të gjithë. Mbledhja e kontributeve është një taksë jo përgjegjësi e politikës shëndetësore.
  2. Përjashtimi i personave me të ardhura të ulta dhe personave me gjendje kronike nga bashkë-pagesa, përfshirë bashkë-pagesat për ilaçet ambulatore.
  3. Rritja e investimeve publike në sistemin shëndetësor, në mënyrë që përparësia që Shqipëria i jep shëndetit kur alokon shpenzimet qeveritare të mos jetë më ndër më të ultat në Europë.

Në analizë theksohet se mbrojtja financiare është në qendër të mbulimit shëndetësor universal, që do të thotë se të gjithë mund të përdorin shërbimet shëndetësore cilësore që u nevojiten pa vështirësi financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë