Lajme

Ana dhe Zefi, kur Gjakmarrja takon Holokaustin

Ana është Anë Franku , 15 vjeçarja me origjinë hebraike, e cila përmes ditarit, i rrëfeu botës dy vitet e mbyllura në papafingo, në Amsterdam, në përpjekje për t’i shpëtuar persekutimit të nazistëve. Zefi është Zef Bunga, një 15 vjeçar shqiptar që nuk ka dalë nga shtëpia për dy vite, për shkak të gjakmarrjes. i vëllai vrau të birin e fqinjit dhe, Zefi është shënjestra e radhës. Nëse del nga shtëpia, e pret plumbi. Dy të rinjtë, njëra personazh i vërtetë, ndërsa tjetri mishërimi i të gjithë atyre djemve që nuk iu gëzuan dot jetës, për shkak të vetëgjyqësisë, përmes Kanunit, janë personazhet e operas “Ana dhe Zef”, të cilën regjisorja Corina van Eijk e ka sjellë për publikun shqiptar, përmes interpretimit të sopranos Anjeza Marku dhe baritonit Patrik Vjollca.


Ana dëshironte të bëhej shkrimtare, por vdiq në kampin e Aushvicit. Zefi dëshironte të bëhej aktor, por u vra nga shoku i tij i ngushtë, në ligjin e larjes së gjakut, me gjak. Të ndarë nga koha dhe gjeografia, ata takohen në parajsë dhe në dyzetepesë minuta rrëfejnë historinë dhe krijon një lidhje të veçantë mes tyre. E shkruar dhjetë vjet më parë nga kompozitorja Monique Krüs, me libret nga dramaturgu Ad de Bont, kjo opera erdhi për herë të parë në Shqipëri e ku, pas dy netëve në Universitetin e Arteve dhe Qendrën Kulturore të Kamzës, do të shfaqet më 8 dhe 9 dhjetor në Gjakovë e Prishtinë. Përpara se të mbërrinte këtu opera është shfaqur në muzeun e Holokaustit në Amsterdam, ku merrte edhe të gjithë kuptimin dhimbja e një prej personazheve. Në skenat shqiptare, merr peshë të prekshme tragjedia e djaloshit Zef. “Kur u njoha me kanunin e këtë realitet izolimi në Shqipëri, e kuptova lidhjen që kishin këto dy histori me njëra tjetrën, që Ad de Bont i ka sjellë përmes këtij libreti”, është shprehur regjisorja holandeze, van Eijk.


Fëmijët të cilët kanë jetuar të izoluar deri në vdekje, në jetën e përtejme përjetojnë lirinë. Por edhe në parajsë, dhimbja i ka lënë gjurmët. “Të dyja historitë kanë të përbashkëta, por përtej dhimbjes, kjo shfaqje sjell një mesazh pozitiv. Ata gjejnë dashurinë dhe krijojnë një marrëdhënie plot dinamikë”, mendon regjisorja. Sopranoja shqiptare, Anjeza Marku, vetë thuajse në moshën e Anës, vetëm 17 vjeç, e ka parë nga afër vuajtjen e fëmijëve të ngujuar, në Shkodër. Ata që megjithëse u kanë ikur fshatrave, ku jeton edhe “gjaksi”, nuk ndihen të sigurt të dalin jashtë shtëpisë. “Mendoj që duhet me u zhduk ky fenomen. Duhet që familjet të falin njëri tjetrin”, ka thënë këngëtarja, e cila ka rrëfyer më tej se Ditarin e Ana Frankut, personazhin që interpreton në këtë opera, e ka lexuar kur ishte 12 vjeç, aq sa qe edhe Ana, kur nisi ta shkruante.


“Ne të rinjtë duam të jetojmë rininë, emocionet që i kemi në këtë moshë nuk i gjejmë më”, ka thënë Marku, e cila u bë e njohur për herë të parë për publikun, në spektaklin e talenteve “Gjeniu i Vogël”. “Duhet të sensibilizohen institucionet , por më tepër njerëzit vetë, sepse jemi ne që e bëjmë këtë.” Paralelizma mes historisë së vogëlushes hebraike, sopranoja ka gjetur tek tragjedia e familjeve shqiptare, gjatë Luftës së Kosovës, mes gjenocidit, dëbimeve, dhunës. Ana Frank, përmes Zefit kupton se njerëzimi vazhdon të përjetësojë dhunën ndaj llojit të vet. Ndërsa baritoni, Patrik Vjollca, do të donte ta interpretonte edhe jashtë Shqipërisë rolin e Zefit.

Holokausti qe një makineri shkatërrimi dhe nuk mundet të krahasohet me asgjë. Gjakmarrjet në Shqipëri janë gjithashtu sistematike

Dramaturgu Ad de Bont u frymëzua për veprën nga një artikull gazete rreth vrasjeve për gjakmarrje në Shqipëri: Më 2009-ën, lexonte ai, ishin afro 800 fëmijët shqiptarë të ngujuar, për shkak të këtij fenomeni. “Holokausti qe një makineri shkatërrimi dhe nuk mundet të krahasohet me asgjë. Gjakmarrjet në Shqipëri janë gjithashtu sistematike. Kërkova për një mishërim të pasojave të këtyre dy sistemeve dhe e gjeta tek këta dy të rinj. Një histori dashurie përballë shkatërrimit. Mund të kalosh përmes një tmerri të tillë, por mundesh të mbijetosh”, do të shprehej pasi e shkroi këtë vepër, dramaturgu. “Jam kureshtare për vdekjen”, pranon Ana, përjetësisht 15 vjeçare që përballet me fatin me dinjitet dhe pa asnjë mëri. Ana lexon nga një ditar i panjohur jetën e saj në kampe, lexon rreth qetësisë që vjen kur nuk ke më çfarë dhe kujt t’i druhesh. Nga ta dinin ata se ajo së cilës i frikeshin aq, do të qe aq e butë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë