Taksa

Amnistia, nga 1 janari shtëpitë rivlerësohen me 3%

Nga 1 janari i vitit që vjen 40 mijë familje shqiptare mund të rivlerësojnë banesat e tyre me 3% nga 15 % që është aktualisht taksa e rivlerësimit. Lajmin e bënë me dije sot Ministrja e Financave Anila Denaj dhe Kreu i Komisionit për Ekonominë dhe Financat Arben Ahmetaj.

Sipas Financave, procesi do të zgjasë 9 muaj, jo një vit të plotë kalendarik dhe efektet në buxhet nga kjo amnisti fiskale do të jenë 4 mld lekë.

Amendimi pritet të mbërrijë në kuvend pas konsultimeve të Ministrisë së Financave me institucionet e varësisë dhe kryeministrin.

Një banesë rivlerësohet për të kuptuar se sa është çmimi aktual i tregut që të merret si referencë për një transaksion të mundshëm shitjeje.

Përshembull, një banesë e privatizuar në vitin 1993 në Tiranë është blerë në atë kohë 15.000 lekë.

Hipoteka e merr si referencë për çmim fillestar këtë çmim në rast se pronari i banesës vendos ta shesë shtëpinë.

Çmimi aktual i asaj banese është 15 milionë lekë, tatimi që paguan pronari-shitës llogaritet si diferencë mes 15 milionëve me 15 mijë lekë dhe shumëzohet me 15% që është aktualisht taksa e rivlerësimit.

Amnistia që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2020 banesat do të rivlerësohen me një taksë 3% të diferencës mes çmimit të tregut dhe çmimit fillestar kur është blerë shtëpia.

Kjo është hera e tretë që qeveria amniston qytetarët për të rivlerësuar shtëpitë e tyre.
Amnistia e parë u bë më 2011 ku taksa e rivlerësimit u përcaktua 1,5 % dhe amnistia e dytë më 2016-ën me një taksë rivlerësimi 2%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë