Politike

Amnistia, ndryshon afati dhe shtohen përfituesit. Gjonaj kundër pushimit të çështjeve

Komisioni parlamentar i Sigurisë ndryshon projektligjin për Amnistinë e të burgosurve. Deputetët ndryshuan afatin dhe zgjeruan përfituesit, pavarësisht kontestimit nga ana e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Komisioni pas propozimit të deputetëve vendosi që afati fundor i përfituesve të mos jetë 30 shtator i vitit 2019, por 31 dhjetori i 2019-ës. Kjo pati një konsensus nga ana e deputetëve të majtë e të djathtë në komision. Deputeti Myslim Murrizi propozoi që të zgjerohet mundësia e përfitimit, duke futur në këtë proces edhe pushimin e atyre veprave penale që janë në një proces gjyqësor apo ka nisur hetimi dhe që me këtë Aministi të mos përfitojnë vetëm të dënuarit. “Jam për ta shtrirë, edhe ata që janë në proces hetimi për të njëjtën veprën penale. Që të jem i bindur se nuk po bëj sekserin me votën time. Shoh që nuk është bërë një gjë e mirë”, deklaroi Murrizi. Propozimi i tij u hodh për votim dhe u mbështet nga ky komision. Por ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se “është kundër këtij zgjerimit të përfituesve”. Kryekomisionerja Ermonela Felaj gjithashtu ishte kundër propozimit të sjellë nga qeveria që gratë që mbeten në burg me anë të kësaj amnistie t’ju ulen 1/3 e dënimit të burgimit. Konkretisht në nenin 3, pika 8 e këtij drafti propozohej se “Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikave 2, 4, 5 dhe 7, të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji”. Sipas Felajt nuk është e drejtë që realizohet një gjë e tillë, duke përmendur edhe rastin më të fundit të Kavajës, ku në sy të një gruaja dhe fëmijëve u qëllua për vdekje në banesë një shtetas. Propozimi i Felaj u pranua nga deputetët, por socialisti Qefaliaj, i vetmi që votoi kundër deklaroi se “shpreson që komisioni i Ligjeve të mos e miratojë një propozim të tillë”. Ndërsa kategorisë së mos përfituesve u futën edhe ata shtetas që kanë kryer vjedhje të thjeshta.

Ministrja Etilda Gjonaj në komisionin e Sigurisë

Numri i përfituesve dhe debati i Gjonajt me Brahon

Sipas ministres Gjonaj, në draftin e paraqitur nga qeveria janë 164 të dënuar do të përfitojnë dhënia amnistisë.  “Nga ligji për dhënie amnistie përfitojnë 164 të dënuar, 141 janë meshkuj dhe 22 janë gra dhe 1 i mitur. Kjo si shifër i referohet të dhënave të marra ditën e martë”,- theksoi Gjonaj. Ministrja tha se qeveria në hartimin e projektligjit “Për Dhënie Amnistie” ka qenë e kufizuar në përcaktimin e kategorive, duke qenë strikte sa i takon kategorive të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë. Duke iu referuar rastet e fundit të lirimit të të fortëve nga burgu, Gjonaj shprehu shqetësimin e saj, duke ia hedhur fajin kështu edhe amnistive të mëparshme.

“Për hir të së vërtetës ka një problematikë, ku edhe nga amnistitë e mëparshme që janë dhënë apo propozuar nga ministrat e mëparshëm të drejtësisë, janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kritere ndaluese, duke i krijuar mundësinë e përftimit edhe subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë”, theksoi ministrja.

Por një deklaratë e tillë solli reagimin e deputetit të PS-së, Spartak Braho, i cili theksoi se nuk duhet të flasë për ato që kanë votuar kolegët e saj. “Nuk ju kanë pëlqyer aministitë e tjera, nuk ke të drejtë që ti gjykosh ti, i kanë bërë ministrat shokët e mi e shokët e ty, nuk ke të drejtë të gjykoni. I kemi votuar ne të gjitha”, theksoi Braho. Gjithashtu ai propozoi edhe që të përfshihen veprat penale e shpifjes dhe për ato për armëmbajtje pa leje, me kushtin që kush i dorëzon të amnistohet. “Ju nuk i keni përfshirë këto dhe mendja më thotë se ju jeni treguar selektivë më këtë propozim”, thekso Braho. Socialisti kërkoi që të vendoset që të gjitha gratë që janë në burg të lirohen, por një gjë e tillë nuk u mor në konsideratë.

Për draftin e amnistisë do të jetë komisioni parlamentar i Ligjeve që do të japë vendimin final, nëse do të pranojë propozimet e miratuara nga komisioni parlamentar i Sigurisë ose jo. Drafti i qeverisë do të votohet në seancën e 30 janarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë