Politike

Amnistia, do të dalin nga burgu edhe ata që ndërtuan pa leje

Komisioni i Ligjeve i jep dorën e fundit projektligjit për dhënien e amnistisë së të burgosurve. Në votimin final, deputetët socialistë kanë rrëzuar një pjesë të propozimeve të komisionit të Sigurisë, por kanë pranuar që të amnistohet edhe ata që kanë ndërtuar pa leje. Bëhet fjalë pikërisht për nenin 199/a paragrafi i parë, për të cilin në variantin e qeverisë ishte propozuar si një kriter ndalues. Kjo dispozitë ishte propozuar që të hiqet edhe nga ana e Sigurisë. “Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 199/a.

Nëntë deputetë ishin pro, ndërsa abstenuan deputetët Fino dhe Hyseni sa i përket shtyrjes së afatit të përfituesve nga amnistia. Me këtë vendim do të përfitojnë të gjithë ata të dënuar që kanë një vendim të formës së prerë nga gjykata të datës 31 dhjetor 2019, duke bërë që të rrëzohet varianti i propozuar që të jenë 30 shtatori i këtij viti. Fillimisht kryekomisioneri Ulsi Manja kërkoi që efektet e amnistisë të shtyheshin në momentin që hyn në fuqi, por ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se nëse miratohej në këtë formë kush ka bërë krim dorëzohet dhe përfiton nga amnistia. Por deputeti socialist Alket Hyseni u shpreh se është e drejtë kjo që thotë ministria, por nëse efekti shtyhej deri më 31 dhjetor, dhe kështu nuk ka kush dorëzohet.

Nga mbledhjet e komisionit të Ligjeve

Komisioni i Ligjeve rrëzoi gjithashtu edhe propozimin e Sigurisë për të përjashtuar nga e drejta e uljes 1/3 të dënimit për gratë, të cilët nuk dalin nga burgjet. Kryekomisionerja Felaj një ditë më parë e cilësoi si të papranueshme faktin se këto gra të përfitojnë nga ulja e dënimit, pasi vepra që kanë kryer janë të rënda. Gjithsesi kjo u kontestua nga ministrja Gjonaj, e cila gjeti mbështetjen te komisioni i Ligjeve.

Deputetët socialistë rrëzuan edhe propozimin e miratuar nga kolegët e tyre te Siguria që të pushohen të gjitha çështjet që janë në gjykim apo në hetim, e që veprat penal parashikohen në këtë amnisti.

Falja e dënuarve pritet të votohet në seancën e 30 janarit. Sipas Gjonajt, gra të dënuara me vendim të formës së prerë në burgjet shqiptare janë 54, nga të cilat 22 do të përfitojnë lirinë nga amnistia, ndërsa 28 të tjera ulje të dënimit me 1/3 e tij, ndërsa 4 prej tyre nuk janë përfshirë si pjesë përfituese nga amnistia. Ndërkohë që nga amnistia sipas kreut të Komisionit Ulsi Manja, do të përfitojnë edhe 4 të mitur ku njëri prej tyre do të lirohet ndërsa 3 të tjerët do të përfitojnë uljen e dënimit. Ministrja e Drejtësisë theksoi se me amnistinë e nxjerrë në prag të vitit 2020 përfitojnë në total 164 të dënuar.

Kriteret e përfitimit të amnistisë

Amnistohen personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.12.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.12.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

 Amnistohen personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.

Amnistohen personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

Amnistohen personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikave 2, 4, 5 dhe 7, të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë