Biznes

Amerikanët i “tremben” pronave: shqiptarët të presin mirë ditën e parë por më pas…

Sabina Veizaj -Mark Crawford, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë duke u pajtuar me problematikat që evidenton Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me klimën e të bërit biznes në Shqipëri, sqaron se “regjistrimi i tokës është arsyeja pse investimet amerikane me peshë në vend janë fokusuar tek sektori financiar dhe ai energjetik e jo gjetkë”.

Mark Crawford Dhoma Amerikane e Tregtisë

“As një muaj më parë, një biznesmen amerikan që nuk është pjesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë do të investonte 2 mln $, por toka ku ai do të përqëndronte biznesin e tij kishte probleme pronësie dhe ai hoqi dorë”- tregon për gazetën Si, Crawford.

Amerikani Crawfard shprehet se problematika e tokës është pasqyruar në biseda me qeverinë shqiptare, pasi kur nuk njihet pronari i tokës, asnjë investitor nuk merr riskun të investojë në të.

Duke u përpjekur ti japë një tis humori bisedës ai thotë se: “shqiptarët gjithmonë ditën e parë të presin mirë” duke lënë të nënkuptojë se më pastaj lindin problemet.

Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e gjetjeve të raportit të DASH, janë referuar nga indeksi i klimës së të bërit biznes në Shqipëri të Dhomës Amerikane të Tregtisë sepse ambasada është pjesë e Dhomës.

Indeksi i klimës së të bërit biznes në Shqipëri ka shënuar rënie; nga 43, 78 që  ishte në 2016, në 42, 45 në vitin 2017.

Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të tregtisë përfaqëson perceptimin e anëtarëve të saj lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri. Indeksi mat elemente të rëndësishëm si politika e qeverisë, niveli i taksave, korrupsionit, informalitetit, zbatimit të ligjit, si dhe elementeve të tjerë që lidhen me ecurinë e bizneseve dhe ekonominë shqiptare.

Indeks llogaritet në bazë të përgjigjeve të dhëna një grupi pyetjesh; Si ka qenë klima e të bërit biznes gjatë vitit? Si e vlerësoni nivelin e faktorëve si korrupsioni, burokracia e qeverisë, niveli i ekonomisë informale, monopoli dhe konkurrenca e pandershme gjatë vitit të kaluar në lidhje me aktivitetin tuaj të biznesit? Pyetjet e tjera kanë të bëjnë me sigurinë, infrastrukturën, furnizimin me energji, pronësinë intelektuale, politikat e qeveirsë, pronën private, raporti i biznesit në lidhje me institucionet publike, etj.

Raporti për 2017 evdienton se problemet e theksshme me të cilat investitorët përballen janë niveli i lartë i taksave, burokracia, konkurrenca e pandershme, mungesa e kualifikimit të administratës, niveli i ekonomisë informale, niveli i lartë i korrupsionit, të cilat rezultojnë më rënie prej 2016-ës.

Crawford thotë se investitorët amerikanë ndihen mirë në tregun bankar  ku kanë investimet më të mëdha. Pas blerjes së NBG bank, ai shprehet se mundësitë për blerje të bankave  të tjera qëndrojnë të hapura. Më herët, shprehet ai, investitorët amerikanë u interesuan edhe për Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, por ai iu ble gjermënve nga kinezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë