Lajme

Amendohet Ligji Organik i Buxhetit, për herë të parë rregulla të reja fiskale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj paraqiti në seancën e radhës në Parlament dy amendime në Ligjin Organik të Buxhetit duke e argumentuar me situatën e rëndë ekonomike pas dy goditjeve që pësoi vendi; atë të tërmetit dhe pandeminë.

Amendimi i parë i propozuar ka të bëjë me raportin e deficitit të përgjithshëm fiskal me shpenzimet për investime publike.

“Pa dyshim, që ky parametër fiskal, është gjithashtu shumë i rëndësishëm për shëndetin e financave publike. Ai ka qenë në fakt i vetmi rregull fiskal që është ndjekur dhe respektuar qartësisht, që prej vitet 2000 e në vijim. Qeveria Rama, e gjeti deficitin në nivelin e -5% dhe e uli atë deri në -1.9% në fund të vitit 2019. Në situata të jashtëzakonshme dhe kur nevojat e qytetarëve kërkojnë zbatimin e politikave fiskale ekspansioniste, buxheti i shtetit duhet të jetë në gjendje të amortizojë efektet e papritura", tha ministrja Denaj.

Ajo sqaroi se propozimi për të marrë në konsideratë situatat e jashtëzakonshme, duke lejuar devijim të përkohshëm prej rregullit të theksuar, eleminon barrierat ligjore për përdorimin e buxhetit si instrumet stabilizues, amortizues e goditjeve, në raste të tilla.

Krahas rregullit fiskal kryesor që është aktualisht në Ligjin Organik të Buxhetit, që detyron uljen e përvitshme të borxhit ndaj PBB, Ministrja propozoi përfshirjen e një rregulli tjetër fiskal, një limit të poshtëm të balancës primare të buxhetit të shtetit.

“Sic dihet, balanca primare e buxhetit është një parametër shumë i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi, për sa i përket qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Balanca Primare tregon se në ç’mënyrë i mbulon qeveria nga pikëpamja e financimit operacionet totale të saj ose e thënë ndryshe shpenzimet totale të saj përveç shpenzimeve për shërbimin e borxhit”, u shpreh Denaj në fjalën e saj në parlament.

Qeveria Shqiptare parashikon rikthimin në një balancë primare pozitive që në vitet 2022-2023.

Për të siguruar në vazhdimësi, zbatimin e një rregulli që sanksionon disiplinë fiskale, sqaroi ministrja, propozohet që duke filluar nga viti buxhetor 2023 e në vijim, pra pasi të kalohet kjo periudhë e vështirë nga dy goditjet, balanca primare të jetë jo më e vogël sesa zero, pra nuk duhet të jetë negative.

Borxhin publik në fund të këtij viti parashikohet të arrijë nivelin 90% të Produktit të Brendshëm Bruto


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë