Yuri Kim, ambasadorja e re SHBA-ve paraqet letrat kredenciale para presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Një procedurë që aplikohet për çdo ambasador që vjen me detyrë në Shqipëri. Për ambasadoren u organizua një ceremoni e posaçme në Presidencë.
“I kënaqur të prisja dhe të pranoja Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të SHBA, znj.Yuri Kim. SHBA një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Së bashku të përballojmë me sukses sfidat që ka vendi. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane”, shprehet presidenti me anë të një postimi në Facebook.
Ambasadorja e re ka qenë e shoqëruar nga zëvendësja Leyla Moses-Ones dhe nga atashehu ushtarak. Nga pala shqiptare në këtë ceremoni veç stafit të këshilltarëve të presidentit, i pranishëm ka qenë edhe zv.ministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj.
Në një njoftim për median, presidenca bën të ditur se Meta e uroi Ambasadoren Kim dhe e siguroi për mbështetje të plotë në realizimin me sukses të misionit të saj në Shqipëri, në interes të forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Presidenti Meta shprehu angazhimin e tij të plotë për forcimin e rolit të Shqipërisë, si faktor kyç për stabilitetin e rajonit dhe orientimin e tij euro-atlantik.
Ambasadorja e re amerikane mësohet se pas paraqitjes së letrave kredenciale, rreth orës 11:45 do të bëjë një takim prezantues me të gjithë stafin ku do të mbajë edhe një fjalim. Ambasadorja e re e SHBA-së mbërriti në Tiranë më 22 janar, trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit. Disa ditë më parë me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kim shprehu angazhimin për të dhënë maksimumin për këtë detyrë të re. “Jam e nderuar dhe i kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam i gatshme ti përvishem punës."
Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, diplomatja amerikane tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE. Kim shtoi gjithashtu se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Fillimisht presidenti Trump prezantoi Ann Kavalec për pozicionin e Ambasadores së SHBA-së në Shqipëri. Nominimi i Kavalec për pozicionin e Ambasadores amerikane në Shqipëri mbërriti në Senat në 9 korrik 2018 u kthye mbrapsht. Kandidatura e saj mbeti në shqyrtim nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë dhe nuk kaloi në votim. në janar të 2019-ës. Për rreth dy vite posti i ambasadorit të SHBA-së mbeti vakant, pas largimit në shtator të 2018 të Donald Lu. Detyrën e të ngarkuarit me punë e ka ushtruar përgjatë kësaj kohe, Leyla Moses-Ones.
Karriera e Yuri Kim
Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Në CV-në e publikuar nga ambasada amerikane bëhet e ditur se ajo ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.