Lajme

Ambasadorja amerikane takon kreun e SPAK dhe prokurorët

Ambasadorja e re SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, ka zhvilluar këtë të enjte takim me kreun e SPAK, Arben Kraja si dhe me prokurorët e tjerë të kësaj strukture.

Vizita e ambasadores amerikane përkon edhe me afatin e fundit për aplikim për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Një ditë më parë, Kim u takua me kryeprokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela. Diplomatja amerikane i garantoi Prokurorit të Përgjithshëm ndihmën e SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Gjatë takimit të tyre të parë Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, e uroi Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, për zgjedhjen e tij në detyrën e re së fundmi dhe premtoi ndihmë teknike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ambasadorja Kim nxiti prokurorët që, ndërsa përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë, t’i përqasen punës me mendësinë e shërbimit publik, integritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, njoftoi Ambasada Amerikane për takimin e djeshëm.

Sa i përket drejtuesit të BKH, Ambasada Amerikane ka bërë disa herë thirrje për të aplikuar për këtë pozicion. Ambasada ka dhënë edhe detajet lidhur me kriteret për aplikimin në pozicionin  e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë të gjithë ata që do të përzgjidhen si pjesë e BKH do të trajnohen në SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë