Drejtësia

Altin Dumani merr detyrën si kreu i ri i SPAK: Luftë agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve

Gazeta Si - Gjatë prezantimit të tij si kreu i ri i SPAK, Altin Dumani renditi disa prioritete të punës në drejtimin e institucionit anti-korrupsion.

Dumani deklaroi se tashmë puna e Prokurorisë së Posaçme do të kalojë në një tjetër nivel, në një luftë më agresive ndaj korrupsionit të çdo niveli.

LEXO EDHE:
- "Presioni" i SHBA, Yuri Kim shpjegon pse shkoi në KLP pak para votimit: Të mos bazohet në kërcënime e favore
- Kreu i ri i SPAK është Altin Dumani me 5 vota pro. Kondili mori 4, Xholi 1 votë
- Kush do ta drejtojë SPAK-un? Profilet e pautorizuara të tre kandidatëve

“Falënderoj Këshillin e Lartë të Prokurorisë që më bësoi drejtimin e Prokurorisë së Posaçme në 3 vitet e ardhshme, besimin që më dhatë do ta përdor në funksion të ndërtimit të një institucioni të suksesshëm të ndjekjes penale, i aftë për t’u përballur me korrupsionin e çdo niveli dhe krimin e organizuar, - tha ai ai në fillim të prezantimit zyrtar në SPAK.

Pasi falënderoi dy kandidatët në këtë garë, si dhe parardhësin e tij Arben Kraja “ka meritën e padiskutueshme në krijimin e një prokurorie funksionale”, Dumani theksoi se sfidat që e presin janë të shumta.

“Të gjithë e dimë sa e vështirë është të ndërtosh një shtëpi të re nga themeli, pasi duhet të kujdesesh për çdo detaj. Z.Kraja, ju patët barrën që të përballoni problematikën dhe vështirësitë që shoqëruan krijimin e këtij institucioni. Sot, falë edhe kontributit tuaj të çmuar, kemi një prokurori funksionale me një bilanc pozitiv dhe e gatshme për t’u përballur me sfidat që e presin”.

Sipas tij, pas këtyre 3 viteve, Prokuroria  e Posaçme do të kalojë tashmë në një fazë tjetër edhe më të rëndësishme.

“Është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Tashmë kemi një Prokurori, e cila është në funksion të plotë në përbërje të së cilës jemi 17 prokurorë, kemi tashmë Byronë Kombëtare të Hetimit funksionale. Gjithashtu, kemi dhe diçka tjetër pozitive që kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite punë”, - tha kreu i ri i SPAK-ut.

Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo është hera e dytë që ai kandidoi për të marrë “frerët” e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk arriti të fitonte përballë Arben Krajës.

Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000. Dumani bëri bujë me qëndrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.

Dumani njihet si një nga prokurorët që ka hetuar dosjet më të nxehta në Shqipëri. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë