Motosport

Alonso thumbon Hamiltonin: Askush s’i bën presion, ka pika të dobëta

Formula 1 po përgatitet për prezantimin e makinave, duke bërë testet e para sezonale, ndërsa pilotët po shijojnë fundjavat e fundit të pushimit. Si do të jetë ky Botëror i ri? Mercedesi ka dhënë një mesazh të qartë për rivalët me makinën e re, por a do të jetë sërish një vit nën dominimin e Ljuis Hamilton? Një nga ata që e njohin mjaft mirë kampionin e botës, spanjolli Fernando Alonso, mendon se anglezi ka pika të dobëta dhe mund të thyhet, por deri tani askush nuk po e vë nën presion.

“Ljuis është përmirësuar, - thotë Alonso për “F1 Racing”, - por ka ende pika të dobëta. Askush nuk po i bën presion që këto pika të dobëta të dalin në pah. Ai e ka rritur nivelin dy vitet e fundit, sidomos sezonin e fundit, kur makina e tij nuk ka qenë dominuese si më parë. Nëse nuk fiton, renditet i dyti me pak sekonda vonesë, diçka që nuk i ndodh shokut të tij të skuadrës, Botas, i cili kur gjërat nuk shkojnë mirë renditet i pesti apo i gjashti. Kjo gjë Ljuisit nuk i ndodh.”

Fernando Alonso, ish-shok skuadre me Hamiltonin. Gazeta Si, 29 janar 2020

Alonso, dy herë kampion në vitet 2005 dhe 2006, në 2007-ën kaloi te Mercedesi dhe pati një duel të ashpër me Hamiltonin, në atë kohë fare i ri dhe që sapo kishte marrë besimin e Ron Denis. Prandaj spanjolli e di mirë çfarë është në gjendje të bëjë dhe se si mund të përballohet ai. “Nëse analizon sezonet e Ljuis Hamiltonit, vë re se ai e nis shumë lehtë kampionatin dhe askush nuk përfiton. Mendohet se është viti i Botas, por nuk ndodh. Do të ishte bukur të garosh kundër tij në një betejë të vërtetë. Do të ishte bukur të shikonim Hamiltonin në një situatë të tillë”, - shton Alonso.

Spanjolli ka një mesazh edhe për rivalët e Hamiltonit, që duket se është veçanërisht për Sebastian Fetel. “Kur ke një makinë të mirë dhe piloti tjetër bën incidente dhe ti shkëputesh në klasifikim, je shumë i qetë. Por, nëse distanca është një apo dhjetë pikë, gjërat ndryshojnë, stresi është ndryshe, gabimet janë ndryshe, mesazhet në radio janë ndryshe. Duhet ta shohim si reagon Hamilton kur është nën presion”, - shprehet në fund Alonso.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë