Njerez

Allahverdi Bagirov, trajneri-ushtar i Qarabag

Prej 30 vjetësh zien konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni-Karabakut. Tani sërish kanë filluar luftimet, me viktima nga të dyja palët. Një luftë që shpesh ka ndikuar edhe në futbollin e të dy kombeve. Rasti i Allahverdi Bagirov, heroit të Azerëve , është emblematik. Allahverdi Bagirov lindi në 1946 në Ağdam, një qytet azerbajxhanas në rajonin e Nagorni-Karabakut, kryesisht i banuar nga armenë. Bagirov që në moshë të re ka një pasion të madh për sportin dhe në veçanti për futbollin. Në vitet 1960 ai u bashkua me ekipin e parë të  Qarabag,  ekipin e qytetit të tij të lindjes në të cilin ai luajti deri në 1974, kur vendosi të varë këpucët në gozhdë. Pas përfundimit karrierës, ai emërohet trajner i ekipit të parë. Në ato vite Qarabag përfaqësonte një "provincë" të futbollit Sovjetik, por historia e politikës dhe futbollit po ndryshonte përgjithnjë.

Lufta dhe karriera në ushtrinë e Azerbajxhanit

Kur regjimi komunist ra më 1989 dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë në shumë shtete të vogla, përfshirë Armeninë dhe Azerbajxhanin, situata ndryshoi. Në veçanti për rajonin e Nagorni-Karabakut, i vendosur brenda Azerbajxhanit por i populluar kryesisht nga armenët (dhe kryesisht të krishterë krahasuar me Azerbajxhanin me shumicë myslimane). Më 30 gusht të 1991, Azerbajxhani shpalli pavarësinë e tij nga Bashkimi Sovjetik. Tri ditë më pas, u dekretua edhe shkëputja nga Azerbajxhani dhe u shpall njëkohësisht Republika e Nagorni-Karabakut Malor. Kjo ndodhi mbi bazën e një neni të kushtetutës sovjetike, ende në fuqi, sipas të cilës nëse një republikë sovjetike (si Azerbajxhani) vendoste të shkëputej nga Bashkimit Sovjetik, atëherë republikat apo rajonet autonome të ndryshme të ndodhura në republikën që shkëputej (siç është rasti i Nagorni-Karabakut) kishin të drejtë që të mund të shkëputeshin prej saj. Në vijim të këtyre fakteve u rrit më tej tensioni midis Nagorni-Karabakut dhe Azerbajxhanit, që duke qenë faktikisht i përjashtuar nga rajoni, dëshironte që të rivendoste autoritetin e tij. Përveçse krijuan një bllokim total përreth rajonit të kontestuar, azerët nisën një ofensivë ushtarake me të shtëna artilerie dhe bombardime ajrore e tokësore ndaj qendrave të banuara.

Pati mijëra viktima midis popullsisë civile, që në vijim të bllokimit të vendosur nga Azerbajxhani, u privua nga ushqimi, ilaçet e kurat mjekësore dhe, për t’i shpëtuar bombardimeve, u detyrua të gjente strehim në bodrumet e banesave në kushte jetesë të ngjashme me ato në të cilat u gjendën banorët e Sarajevës pak a shumë në po ato vite.

Allahverdi Bagirov

Në atë kohë Allahverdi Bagirov kishte stërvitur Qarabagun e tij për disa vite, por kur filluan luftimet ai nuk hezitoi të linte gjithçka për  t'u bashkuar me ushtrinë Azerbajxhanase. Në vitin 1990 ai krijoi batalionin e tij dhe u dallua për disa operacione të suksesshme ushtarake kundër Armenëve. Në veçanti në qytetin Khojaly, ku ai shpëtoi qindra civilë duke i ndihmuar që të arratisen. Por fati e tradhtoi: në vitin 1992 një minë goditi Jeep-in e tij, duke e vrarë në vend. Vdekja e tij e pengoi atë të shihte ekipin e tij të rritej në panoramën kombëtare dhe ndërkombëtare. Sidoqoftë, vendi i tij e nderon atë sot si një hero kombëtar.

Kujtojmë që në këtë skuadër janë aktivizuar edhe dy shqiptarë që janë futur në histori, Admir Teli që ka luajtur në sezonet 2009-2015 dhe bëri 173 paraqitje, dhe Ansi Agolli që u largua pas 9 sezoneve mjaft të mirë, ku ka luajtur si titullarë e madje ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm. Jo vetëm kaq, por edhe ka fituar 4 tituj kampionë dhe 3 Kupa të Azerbajxhanit, pa harruar pjesëmarrjen thuajse çdo sezon në Kupat e Evropës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë