Lajme

Alibeaj: Rama dhe Dako nuk po gjejnë qetësi nga makthi i dosjes 339

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat nga selia blu theksoi se ende ka heshtje të plotë nga ata që mbajnë përgjegjësi për vjedhjen e votave në bashkëpunim me Vangjush Dakon.

“Nga momenti që skandali i vjedhjes së votave nga bandat kriminale në bashkëpunim me Vangjush Dakon, është bërë publik, heshtja ka mbuluar të gjithë ata të cilët, duhet të mbajnë përgjegjësi për vjedhjen e votave apo për hetimin, gjykimin dhe burgosjen e krimit dhe të politikanëve të lidhur me krimin”,

Sipas tij, Edi Rama dhe Vangjush Dako kanë rënë në grackë dhe nuk po gjejnë qetësi nga makthi i dosjes 339.

“Dosja 339 është ‘gracka ku hajduti është kapur si laraska’. Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera për tepsinë e Edi Ramës”, u shpreh deputeti demokrat.   

Ai i mëshon fort faktit se mosarrestimi i Dakos dëshmon kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, shkatërrimin total të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi.

“Mosarrestimi i Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar me mbështetje të organizatës kriminale të Rilindjes të drejtuar nga Edi Rama. Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda. Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi”, tha ndër të tjera Alibeaj.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë