Njerez

Ali Mema, kolosi i Tiranës që nuk iu nënshtrua as Partisë

Mbiemri Mema është vetë historia e Tiranës dhe Ali Mema është pa asnjë dyshim njeriu simbol i kësaj dinastie. Paraditen e 27 marsit, trupi i tij vizitoi për herë të fundit stadiumin “Selman Stërmasi”, për t’i dhënë lamtumirën ekipit që i kushtoi gjithë jetën dhe për t’u përshëndetur me miqtë e shumtë që vinin nga çdo cep i Shqipërisë. Nuk mungoi në homazhet për këtë figurë të shquar të futbollit edhe Presidenti i vendit, Ilir Meta.

Zemra e të madhit Ali Mema pushoi së rrahuri më 26 mars, në moshën 76-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Lajmi mori dhenë menjëherë, sepse popullariteti i Ali Memës është shumë i madh, jo vetëm në Tiranë. Të gjithë e kujtojnë me shumë respekt, siç thonë tiranasit, “të bukrin” Ali Mema, njeriun dhe sportistin simbol të viteve ’60-70. Protagonist absolut me Tiranën e asaj kohe, por edhe me Kombëtaren. Mesfushori unik, i kompletuar në çdo drejtim, me një fizik të admirueshëm, i palodhur në fushë dhe gjithmonë korrekt, impononte respekt kudo. Burim frymëzimi për shokët e ekipit, si dhe për brezat pasardhës, falë temperamentit të tij. Sakrifikonte gjithçka nga vetja për ekipin, duke bërë madje edhe rolin e portierit, siç ka ndodhur në një finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Besës, ku ai priti tre penallti. Nuk kursehej kurrë, siç tregojnë ata që e kanë parë nga afër, në ndeshje po e po, por edhe në stërvitje.

Ali Mema

Pa dyshim, një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Tiranës dhe të Kombëtares. Që në moshë të vogël, kur luante në fushën e Pallatit të Pionierëve, u pikas nga trajneri Demneri. Në moshën 17-vjeçare u bë pjesë e ekipit të parë të Tiranës dhe nisi karrierën e tij të ndritur, por të shkurtër, siç ndodhte rëndom në atë kohë, kur një futbollist 27-vjeçar, konsiderohej një “veteran”. Të gjithë trajnerët që e kanë pasur në ekip, e kishin pikë referimi. Kishin besim absolut te mesfushori plot grintë i ish-17 Nëntorit, Tiranës së sotme, që në atë periudhë dominonte futbollin në vend, duke fituar disa tituj kampion. Ali Mema e mbylli karrierën si futbollist pas 12 vitesh, duke lënë gjurmë të pashlyera me fanellën bardheblu.

Jo vetëm fanella, por edhe gjaku në venat e Ali Memës ishte bardheblu. Nuk iu drodh qerpiku aspak t’i thoshte “Jo” në atë kohë edhe gjeneralit Petrit Dume, i cili ishte i dashuruar pas lojtarit të Tiranës dhe që e donte atë te Partizani. Ali Mema pati kurajën ta refuzonte ftesën e Dumes dhe Partisë, diçka e rrallë për kohën, por ai iu përgjigj zemrës. Ishte viti 1965, kur Ali Mema duhej të kryente zborin 6-mujor pas shkollës dhe Partizani deshi të shfrytëzonte rastin, por kishte gjetur njeriun e gabuar. Mema, me ndershmëri dhe guxim e bëri të qartë se nuk donte të luante për Partizanin, por ky vendim nuk e shpëtoi plotësisht dhe për më shumë se një vit do të qëndronte larg Tiranës së tij.

“Rregullat” e kohës e çuan në Shkodër, një qytet që e bëri për vete shumë shpejt me klasin dhe temperamentin e tij. Duhej të qëndronte vetëm 6 muaj në qytetin verior, por qëndroi më gjatë. Gazetari Uvil Zajmi tregon në librin e tij se Ali Mema ishte shok reparti me aktorin Bujar Kapexhiu dhe të dy ishin të vetmit që kishin privilegjin të mbanin flokët. Në Shkodër mori popullaritet të jashtëzakonshëm për një kohe shumë të shkurtër për karakterin e tij dhe sakrificën që bënte për Vllazninë. Në një ndeshje që nuk luajti, shkodranët shpërthyen ndaj trajnerit të Vllaznisë së asaj kohe. Megjithatë, kundër Tiranës së zemrës e kishte të pamundur, nuk i bënin këmbët. “E kam shumë të vështirë kundër Tiranës, e kam të pamundur”, - ka thënë në atë kohë Ali Mema, duke qenë i ndershëm deri në fund.

Më pas u kthye në Tiranë, pranë familjes. Të gjithë sportdashësit e mbajnë mend edhe për paraqitjet e shkëlqyera në Kupat e Europës dhe me ekipin kombëtar, veçanërisht në ndeshjen e paharrueshme Shqipëri-RFGJ, që u mbyll në barazim 0-0 dhe Mema luante kundër një emri të madh të futbollit botëror si Overat. Gjithë Tirana e kujton Ali Memën të pandarë nga biçikleta të shkonte drejt fushave të futbollit, ndërsa sëmundja e rëndë e mbylli në shtëpi kohët e fundit.
Lamtumirë kampion dhe njeri i madh!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë