Futboll

“Alegria e popullit” Garrinça, ai që brazilianët e donin më shumë se Pelenë

Në Brazil thonë: “Edhe sot, nëse pyet një brazilian të vjetër se kush është Pelè, ai do të heqë kapelen në shenjë admirimi dhe vlerësimi. Por, nëse i flet për Garrinçën, ai do të kërkojë ndjesë, do të ulë sytë dhe do të qajë”.
Garrinça për brazilianët ishte diçka më shumë se një idhull, diçka më shumë se një lojtar klasi, ishte “alegria e popullit”, siç e quanin ata.

Mesfushori më i mirë i krahut të djathtë në historinë e futbollit (bashkë me Xhorxh Best), ishte i famshëm për driblimin e tij të paparashikueshëm dhe për depërtimet e tij të shpejta, duke djegur kundërshtarin.

Garrinça gjate nje ndeshjeje. Gazeta Si, 28 tetor 2021

E kuptoi menjëherë këtë gjë Nilton Santos, një nga anësorët e majtë më të njohur të Brazilit. Ai e kishte përballë Garrinçën kur ishte 16 vjeç dhe ishte thirrur nga Botafogo për një test. "Kur e pashë, m’u duk një shaka, me ato këmbë të shtrembëra, vrapimin si çalaman dhe fizikun e një njeriu që mund të bëjë shumë gjëra në jetë, përveç njërës: të luajë futboll.

Kur i dhanë topin, iu afrova dhe e shtyva drejt rivënies anësore për t’ia marrë topin me të mjatën, siç bëja gjithmonë. Bëri një finte dhe më iku. Nuk pata kohë as të kthehem dhe ai kishte krosuar. Herën e dytë ma kaloi topin në mes të këmbëve, e ndalova me një krah dhe i thashë: dëgjo djalosh, këto gjëra mos m’i bëj më mua! Herën e tretë ma kaloi topin sipër dhe dëgjova që spektatorët e paktë po qeshnin. U nervozova dhe kur më doli prapë përballë desha ta pengoja, por nuk arrita. Në fund shkova te drejtuesit e Botafogos dhe u thashë: federojeni menjëherë, ky është një fenomen", - tregon Santos.

Nuk bënte shaka Nilton Santos, kur thoshte se vraponte si çalaman, sepse Manè e kishte shtyllën kurrizore të deformuar dhe një këmbë më të shkurtër se tjetrën për shkak të kequshqyerjes dhe poliomelitit. Mori nofkën “Garrinça” për ngjashëmrinë me një lloj zogu, që është i dobët dhe i shtrembër si ai.

Garrinça me fanellen e Brazilit. Gazeta Si, 28 tetor 2021

Karriera e Garrinccës ishte fantastike me Botafogon, por më shumë me Brazilin, me dy triumfe në Botërorët e 1958-ës dhe 1962-shit.

Pelé ishte ylli, por Jose Altafini tha në atë kohë që Botërorin e fitoi Garrinça, ashtu si atë të 4 viteve më pas në Kili: “Të gjithë thonë Pelè, por pa Garrinçën ai Brazil nuk do të ishte aq hyjnor”.

Më pas në jetën e tij u mposht nga alkoli, që i preu krahët Garrinçës dhe e çoi drejt rrënimit fizik dhe ekonomik. Bëri një jetë të varfër dhe ndërroi jetë në vitin 1983. Për shumë brazilianë të dashuruar pas tij, ky është një peng i madh.
Ndoshta në formë ndjese, apo për vlerësim, në varrin e tij në Pau Grande, një orë e gjysmë larg Rios, janë gjithmonë 7 qirinj të ndezur, ditë-natë. Sepse ai ka qenë me shumë mundësi numri 7 më i mirë i të gjitha kohërave dhe sot do të festonte përvjetorin e lindjes. Shumë urime Mane!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë