Politike

Aleatët e Bashës i përgjigjen Metës, kërkojnë regjistrimin për 13 tetorin në KQZ

Pas turit të takimeve me qytetarët nëpër rrethe, ku përsëriti bindjen e tij dhe të Partisë Demokratike se zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të ketë, Lulzim Basha mblodhi në selinë e demokratëve aleatët e opozitës së bashkuar.

Është e paqartë nëse takimi është bërë me kërkesë të kreut të demokratëve, apo me kërkesë të kryetarëve të partive më të vogla të koalicionit të drejtuar prej Partisë Demokratike, por orari i pazakontë i takimit, thuajse pranë mesnatës të së enjtes dhe të premtes, sugjeron se temat e diskutimit kanë qenë urgjente.

Gazeta Si mësoi se pjesë e diskutimeve ka qenë dalja me një vendim të unifikuar të opozitës së bashkuar sa i takon 13 tetorit. Aleatët e Partisë Demokratike kanë nënkuptuar edhe publikisht se janë gati që të regjistrohen në këto zgjedhje, pa e kushtëzuar këtë hap me dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i Kryeministrit.

Në këtë takim, burime nga PD konfirmojnë për gazetasi.al edhe Basha e ka njohur 13 tetorin si të vetmen datë për zhvillimin e zgjedhjeve dhe kërkoi nga KQZ nisjen e procedurave për zhvillimin e tyre. “KQZ dhe institucionet e tjera shtetërore kanë detyrim të pashmangshëm kushtetues të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje, pastaj partitë të vendosin vetë të marrin apo jo pjesë në to”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Por, vetë Lulzim Basha këmbëngul prej kohësh se as 13 tetori nuk është zgjidhje e krizës. Zgjidhja sipas tij është dorëheqja e Edi Ramës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare dhe vendore. Paralelisht me përforcimin e këtij qëndrimi, demokratët janë angazhuar në protesta në mbrojtje të “fortesave” të tyre në pushtetin vendor. Devolli dhe Kavaja ra, ndërsa Përmetin e dorëzoi pa qëndresë kryetari i sapolarguar Niko Shupuli.

Në këtë aksion në mbrojtje të Bashkive, Partia Demokratike duket e vetmuar. Aleatët e saj nuk kanë treguar të njëjtin zell në organizimin e protestave për të mos lejuar kryebashkiakët socialistë të dalë nga 30 qershori, megjithëse këto zgjedhje i cilësojnë farsë dhe ta paligjshme. LSI dorëzoi pa zhurmë Beratin, Kuçovën dhe Cërrikun (me përjashtim i Përrenjasit sot), ndërsa PDIU Rrogozhinën.

30 qershori është nul ligjërisht edhe në kendvështrimin e Presidentit Ilir Meta, që e cilëson si votim, jo zgjedhje. Pak orë pasi Basha të mblidhte në zyrën e tij aleatët më të vegjël Meta tha se edhe nëse Gjykata Kushtetuese do ta vlerësonte si antikushtetues dekretin e tij që anuloi këtë datë zgjedhjesh, vendimi i saj nuk ka efekt prapaveprues. Përveç kësaj, Meta e bëri të qartë se për të 13 tetori do të konsiderohej një proces zgjedhor normal prej tij, edhe po të organizohej nga Edi Rama, mjafton që në të gjitha bashkitë të kishte dy ose më shumë kandidatë.

Meta kërkoi nga Edi Rama që të mos bllokojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe ta lejojë atë që të thërrasë partitë për t’u regjistruar, ndërsa nga partitë politike kërkoi që të regjistrohen. Për të s’ka më kohë për të humbur dhe 13 tetorin e interpreton si stacion të fundit të trenit për hapjen e negociatave, ku përpos zgjedhjeve vendore, propozon edhe zgjedhje për Presidentin.

Afati i fundit për t’u regjistruar është data 4 gusht. Partia Republikane, LSI dhe Partia Agrare nuk kanë humbur kohë. Përfaqësuesit e saj kanë paraqitur një ditë pas takimit me Bashën kërkesën për nisjen e procedurave të regjistrimit në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit.

Mbledhja është thirrur nga kreu i këtij institucioni, Klement Zguri, i vetmi anëtar i KQZ-së që kërkoi ndalimin e procedurave përgatitore për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor pas nxjerrjes së dekretit të Ilir Metës që e shfuqizonte këtë datë.

Kërkesat do të testojnë edhe se si do të sillet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me to, a do t’i rrëzojë apo do t’i pranojë dhe mbi të gjitha, a do të zhvillohet si mbledhje apo jo, pasi anëtarët e PS-së në KQZ kanë sinjalizuar bojkotimin e kësaj mbledhjeje. Për këtë KQZ njoftoi se do të mblidhet paraditen e së shtunës në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e këtyre tre partive. Mund të hamendësohet se përsa kohë ky institucion përmbylli procesin e 30 qershorit, 13 tetori për të është nul.

Regjistrimi i këtyre forcave politike është edhe një përgjigje pozitive ndaj thirrjes së Presidenti Meta. Në konferencën për shtyp të së enjtes, ai përsëriti disa herë fjalinë “Ftoj forcat politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, jo ato që nuk duan që të regjistrohen, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shndërrohen në OJQ”.

Presidenti nënkuptoi se kërkesa e Lulzim Bashës për largimin e Edi Ramës është tekë opozitare. “Kur kam firmosur dekretin e shfuqizimit të 30 qershorit kam deklaruar se nuk jam këtu për të plotësuar tekat e partive opozitare apo qeveritare. Jam këtu për të plotësuar detyrimet e mia ligjore”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë