Lajme

Albin Kurti në mbledhjen e parë të qeverisë: Të mos reshtim së punuari për Kosovën

Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e parë të qeverisë.

Kurti teksa ka uruar gjithë kabinetin, u ka kërkuar që të mos rreshtin së punuari për interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Është kënaqësi të ju shoh të gjithëve të entuziazmuar për detyrën që keni marrë. Ju uroj të gjithëve për detyrat e juaja. Ky kabinet është i qytetarëve dhe ne do të punojmë për ta. Ata na e kanë dhënë besimin e mandatin. Energjia e qytetarit duhet të jenë motor për punën tonë. 100 ditët e para do të jenë të zëna me punë... Karriget i kemi, por më shumë do të rrimë në këmbë për punën që e kemi”, mësohet të jetë shprehur Kurti.

Kurti ka shprehur bindjen se kabineti i ri qeveritar do bëjë maksimumin në të mirë të vendit.

“Unë nuk kam dyshim se ne kemi aftësi dhe shkathtësi. Sytë e të gjithë popullit janë te ky kabinet qeverisës. Le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë”, tha kreu i qeverisë.

Pas mbledhjes së qeverisë, Kurti ka vizituar edhe Prekazin dhe familjarët e viktimave të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.

Më herët, Kurti mori zyrtarisht detyrën nga ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, pasi kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se nuk do ta priste liderin e VV.

Ceremonia për kryeministrin Albin Kurti

Siç raportuan mediat kosovare, kjo gjë ka ndodhur në një ceremoni solemne në oborrin e qeverisë së Kosovës, të cilën Kurti do ta udhëheq që nga sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë