Politike

Albin Kurti i ul rrogën vetes dhe ministrave të Kosovës

Vendimi i parë i Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës ka qene ulja e rrogës së tij , por edhe të të gjithë ministrave të kabinetit qeveritar.

Në mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës, Kurti njoftoi shfuqizimin e vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për dyfishim të pagave të kabinetit qeveritar si dhe shfuqizimin e vendimit për përfitime pas mbarimit të mandatit.

Sipas vendimit të marrë nga ish-kryeministri Isa Mustafa, në nëntor të vitit 2015, ministrat dhe zëvendësministrat përfitonin pagën edhe një vit e gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.
Në bazë të këtij vendimi, qindra mijëra euro vazhdonin të jepeshin për pagat e ministrave dhe zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Vendimi i vitit 2015 përcaktonte se ministrat do të merrnin 70 për qind të pagës edhe për një vit, ndërsa zëvendësministrat do të merrnin për gjashtë muaj 70 për qind të pagës.

Por kryeministri Kurti, i cili erdhi në pushtet duke premtuar shkurtimeve të shpenzimeve publike, ka vendosur që zyrtarët e lartë të qeverisë së tij të paguhen më pak se sa ata të ish-kryeministrit Haradinaj. Po ashtu, Kurti e ka ulur numrin e ministrive në 15, edhe pse gjatë fushatës premtoi se do ta çonte në vetëm 12.

Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind, duke bërë që kryeministrit t’i rritej paga nga 1500 euro në 2950 euro.

Kjo çështje ishte dërguar nga deputetët e atëhershëm të Vetëvendosjes në Gjykatën Kushtetuese, por përmes një vendimi, kjo Gjykatë kishte thënë se rritja e pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Megjithatë, shfuqimi i këtij vendimi do të thotë se Albin Kurti do të marrë 1500 euro, një pagë për të cilën disa ekspertë në Kosovë kanë thënë se është e pamjaftueshme për një kryeministër.

Në një reagim të menjëhershëm, Haradinaj e quajti vendimin e Kurtit për uljen e pagave si një vendim populist.

“Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca pikë politike, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit”, shkruan ai në rrjeti social Facebook.

Si paguhet Kryeministri dhe ministrat në Shqipëri?

Në Tiranë ndërkohë, paga neto e kryeminstrit Edi Rama është 201519 lekë.

Mbi 7 milionë lekë në muaj nga buxheti i shtetit shkojnë për pagat e kabinetit qeveritar. Paga bruto e kryeministrit është 228 mijë lekë ndërsa ajo e zv/ kryeministrit Erion Braçe 187 mijë lekë. 16 ministrat e qeverisë “Rama” kanë pagë prej 174 mijë lekë në muaj, ndërsa paga e zv.ministrit është 153 mijë lekë.

Nga buxheti pjesën më të madhe e zënë pagat për zv/ ministrat, pasi janë 33 për 13 ministritë e kabinetit qeveritar (3 janë ministra shteti).

Megjithatë, kryeministri shqiptar merr të ardhura shtesë edhe nga shitja e punëve artistike, nga të cilat sipas “Open Data Spenging” merr 3 894 352 lekë të vjetra në muaj, duke i çuar të ardhurat e tij mujore në rreth 5 mijë million lekë të vjetra.

Por kryeministri Kurti nuk ka deklaruar të ardhura të tjera mujorë, përvec pagës së deputetit, e cila do të zëvendësohet tanimë me atë të kryeministrit. Kurti ka deklaruar pasuri të paluajtshme banesën e bashkëshortes së tij në Oslo të Norvergjisë me vlerë 400 mijë euro.

Të ardhura vjetore Kurti ka deklaruar në tetor pagën e deputetit 19,189 eurosh në vit. Ndërsa paga vjetore e bashkëshortes së tij në Oslo është deklaruar 42.240 euro.
Para të kursyera Kurti ka deklaruar 10 mijë euro të cilat po ashtu janë në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij. Ai jeton në një shtëpi me qira në Prishtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë