I ulur krenar mes të rinjve që kanë vendosur ti bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Albi Kurti konfirmoi edhe njëherë se nuk do ta braktiste agjendën e partisë së tij për bashkim kombëtar. Duke folur për planet e tij si kryeministri i ardhëm i Kosovës, kreu i Vetëvendosjes u shpreh gjatë një takimi me simpatizantët e kësaj lëvizjeje politike në Shqipëri se përpos sfidave të mëdha që e presin Kosovë, në krye të agjendës së tij do të jetë edhe forcimi i bashkëpunimit Tiranë-Prishtinë.
Tek qëndron prapa një slogani kuq e zi me emrin “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”, Kurti shprehet i bindur se me fitoren e tij, shqiptarët e të gjitha trevave do të jenë më të bashkuar se kurrë. Ai nuk ka dyshim se ardhja e Vetëvendosjes në pushtet të ketë efekt “tektonik” edhe në Shqipëri, duke mos i kursyer kritikat për qeverinë Rama për vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.
“Ndryshimi kurrë nuk ka qenë më afër, kurrë më i domosdoshëm dhe kurrë më i mundshëm, si në Kosovë edhe në Shqipëri. Shqipëria dhe Kosova janë të Kastriotit dhe jo të Kastratit. Barriera në Rrugën e Kombit do të vazhdojë të rrisë ndasitë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Suksesi i shqiptarëve do të matet në momentin kur ata të kenë institucione dhe një treg të përbashkët” tha Kurti. “Fitorja do të ketë efekt edhe në Shqipëri. Ne do synojmë bashkëpunimin sa më shumë, do synojmë bashkëpunimin e nëse do të mungojë do të ketë shumë sfida. Nuk është e mundur që dy shtete të një kombi të mos jenë të integruara sa vendet e BE. Vendet e BE kanë tregje të përbashkëta e ne nuk kemi. Por ne nuk jemi të integruar sa Holanda me Belgjikën. Në këtë rrugë nuk na ndalon askush veç pengesave që i vëmë vetes. Por jam optimist se kur të fitojmë të gjithë do e kuptojnë se kjo është situatë e re dhe do të përshtaten. Edhe në Shqipëri, unë besoj se ndryshimet e vërteta do t’i ketë vetëm nëse ndryshon nga poshtë, nga qytetarët. Taksat brenda Shqipërisë dhe ato mes Shqipërisë e Kosovës nuk do t’i sabotojnë më marrëdhëniet mes nesh. Kudo ku mund të kryhet bashkimi, marrëveshjet do të punojnë vetëm për këtë. Deri tani, pesë mbledhjet mes qeverive të dy vendeve tona dhe 50 marrëveshjet e nënshkruara nuk kanë mjaftuar as për integrimin e tregut dhe as për investimet e përbashkëta. Të dy vendet ende vazhdojnë të importojnë dhe eksportojnë jo mes vetes. Me fitoren e Lëvizjes do të ndryshojnë koordinatat e marrëdhënieve ekonomike”, tha Kurti.
I pyetur nga gazeta “Si” për vizionin e tij për qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, dhe kthimin në një forcë të mirëfilltë politike, ai thotë se aktivistët e kësaj force në Tiranë janë të pavarur. Sipas tij, qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri u krijua nga vetë qytetarët, të cilët janë lodhur nga politikanët në Tiranë.
“Qendra e Vetëvendosjes në Shqipëri ka autonominë e vetë. Ne mbase konsultohemi për vendime të caktuara, por jo për alternativa. Ne nuk i mbivendosemi qendrës së Vetëvendosjes këtu në Tiranë. Sigurisht kemi bindjen dhe frymën e njëjtë, por sa i përket anës organizative, ata kanë autonominë e tyre. Ata kanë prodhuar tashmë tekstet dhe dokumentet e tyre, dhe kanë vizionin e tyre”, u shpreh politikani i njohur. Statistikat nuk janë në favorin e qeverive këndej edhe andej kufirit, në vend të emigracionit duhet punësimi, në vend të korrupsionit duhet zhvillimi. Lëvizjen Vetëvendosje në Shqipëri e kanë sjellë qytetarët, të cilët janë të lodhur nga kjo status ‘quo’ dhe nuk besojnë në ndasi veri-jug dhe në të kaltër e në të kuq. Vetëvendosjen në Shqipëri e kanë sjellë njerëzit. Ju takon juve që të refuzoni ti nënshtroheni predikimit se ju nuk jeni të rëndësishëm se Shqipëria nuk bëhet. Ky vend mund të bëhet dhe mund të ndryshohet”– deklaroi kreu i Vetëvendosjes.
Ardhja e tij në Tiranë duket se kishte entuziazmuar një sërë të rinjsh, pedagogësh dhe analistët që ishin mbledhur në Muzeun Historik Kombëtar. Shumë prej të rinjve të pranishëm, pjesëmarrës dhe organizatorë të protestave studentorë të vitit të kaluar thonë se do të nisen drejt Prishtinës për t’u bërë pjesë e fushatës se Vetëvendosjes në Kosovë.
Duke folur në mesin e tyre për planet e tij për të bërë bashkë shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti thotë se një ide e mirë do të ishte futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, me kusht që ushtarët e Shqipërisë të bënin 6 muaj shërbim në Kosovë dhe anasjelltas. Kurti u ndal edhe në emërimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, duke sinjalizuar se në qeverinë e tij do të ketë edhe shqiptarë nga Tirana.
“Do të ishte shumë mirë të kishte shtetas të Shqipërisë në qeverisjen e Kosovës. Ne duhet të gjejmë figura të mira për qeverinë tonë, patriotë dhe të mençur. Vetëvendosja do të jetë qeveria e parë që do hapë dyert për shqiptarët. Ne duhet të mbledhim më të mirët që kemi jo vetëm nga Kosova po dhe nga Shqipëria, jo se janë prej këtij vendi apo atij, por sepse janë më të mirët. Po u zgjodhëm ne, unë do thërras shqiptarët të vijnë në administratën e Kosovës”, deklaroi ai. “Ëndrra e çdo shqiptari është që të jetojmë të lirë dhe me dinjitet dhe që patriotizmin e kanë si mburojë dhe herë të tjera si shpatë. Duhet të kemi vullnet për të bashkëpunuar, pasi nëse nuk bashkëpunojmë nuk ka marrëveshje. Nëse Vetëvendosja vjen në pushtet do të kemi bashkëpunim union doganorë, energji elektrike, politikë të jashtme e në shumë të tjera. Shqiptarët kanë shumë ëndrra për një shtet ku zvogëlohet hendeku i pakicës dhe i shumicës. Shqiptarët nuk kanë ndjerë dashuri për të korruptuarit”, shprehet Albin Kurti.
Ai u ndal gjatë edhe tek korrupsioni endemik dhe kapja e shtetit në Shqipëri dhe Kosovë, duke deklaruar se politikanët në të dyja anët e kufirit po vrasin shpresat e njerëzve që nuk duan të largohen nga vendi i tyre.
“Shteti i dobët i Kosovës nuk e përballon dot një qeveri të korruptuar si ajo që kishim më herët. Në Kosovë janë 17 ndërmarrje publike, vetëm 3 operojnë pa humbje. Jo se nuk vidhet aty, por nuk mund të vidhet aq sa të dalë më humbje. Janë 34 agjenci shtetërore që raportojnë në kuvend. Populli i Kosovës ka nevojë të prodhojë 300 e 500 spartanë që t’i fusë në shtet dhe ta bëjë demokratik”, u shpreh Kurti. Sipas tij, janë 2500 bashkëqytetarë që janë doktoruar jashtë dhe kur i kanë pyetur nëse dëshirojnë të kthehen në Shqipëri 49 për qind kanë thënë se do mendohen dhe 17% kanë thënë se po. “Por mbi 90 për qind kthehen së paku një herë në vit për të mbajtur kontakte me familjen. Këta janë njerëzit që duhet t’i mbajmë në vend dhe ti bëjmë pjesë të qeverive tona”, deklaroi ai.
Sipas sondazheve Lëvizja Vetëvendosje ka shanset më të mëdha për fitoren e zgjedhjeve të gjashtë tetorit në Kosovë, duke dërguar në opozitë pas 12 vjetësh Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Pavarësisht negociatave të shumta me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur që të hyjë e vetme në votime. Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Kurti e ka lënë rrugën e hapur për koalicione pas zgjedhore, i vetëdijshëm se nuk mund ta krijojë i vetëm shumicën e re qeverisëse. Kurti deklaroi se ishte treguar i gatshëm të hiqte dorë nga posti i kryeministrit dhe që kjo të përcaktohej pas zgjedhjeve dhe që Kryeministri i koalicionit VV-LDK të ishte kandidati që do të merrte me shumë vota në 6 tetor.
“Unë kam qenë dorëlëshuar, ata nuk kanë lëshuar fare pe. Unë kam qenë i gatshëm të heqë dorë nga pozita e kryeministrit, të merremi vesh një herë me LDK-në dhe pastaj të shkojmë në Këshill të Përgjithshëm dhe të jem numër 2 aty, kur numri 1 merr më shumë vota se numri 2”, deklaroi Albin Kurti.
Ai është shprehur optimist se VV-ja do t’i fitojë këto zgjedhje, edhe pse shumë herë tha se bashkë me LDK-në, partia e tij do ishte më e fuqishme.
“Po të ishim bashkë do të fitonim bashkë, meqë nuk na u bashkua do të fitojmë veçmas. Do të ketë ndryshim tektonike në Kosovë, nëse Vetëvendosja del e para, fillon transforimi i vërtetë dhe jo reforma të rremë”, theksoi ai.
Edhe pse askush nuk mund të flasë me siguri për vendimet e qeverisë së re gjatë katër viteve të ardhshme, një vendim i rëndësishëm qe është lënë pezull në tavolinën e kryeminstrit të ri është heqja e taksës prej 100 % ndaj importeve serbe, e cila ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë kërkesa kryesore e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Ajo është kërkuar me ngulm nga të gjithë zyrtarët amerikanë dhe europianë që kanë vizituar Prishtinën përgjatë muajve të fundit dhe duket se po mban peng jo vetëm dialogun Prishtinë-Beograd, por edhe liberalizmin e vizave.
“Taksën ne do ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë tregtar ekonomik dhe politik. Reciprociteti është kriteri i shëndoshë i marrëdhënieve normale bilaterale.– u shpreh Kurti. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të drejtpërdrejta nëse ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati, tashmë i distancuar nga kryeministri Rama, mund të jetë drejtuesi i lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, siç edhe po përflitet në media. Por Kurti tha në mbrëmje gjatë një interviste televizive se dëshiron të bashkëpunojë me Bushatit, por pa dhënë më shumë detaje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.