Gazeta Si - Pas lirimit nga burgu, pasi gjykata vendosi ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpie” më 27 shkurt, Vangjush Dako është paraqitur për herë të parë në GJKKO për seancën paraprake këtë të premte.
Gjykata vendosi të shtyjë seancën e radhës, e cila do të mbahet më 17 prill, kur pritet të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim.
Pasi doli nga ambientet e gjykatës, ai u përball me një seri pyetjesh nga mediat e pranishme. “A keni shpërdorurar detyrën? A jeni akullore?”, këto ishin pyetjet e gazetarëve për Dakon, të cilat nuk morën përgjigjen e tij.
Dako nuk preferoi të jepte komente, ndërsa u largua, i shoqëruar nga forcat e policisë, pasi ndodhet në arrest shtëpie.
Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.
Pak javë më parë, GJKKO kërkoi nga SPAK që deri në datën 27 shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.
Vangjush Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, ndërsa u lirua nga “arresti me burg” për t’u vendosur në “arrest shtëpie” në 7 shkurt 2024 pas përfundimit të afateve të paraburgimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.