Drejtësia

Akuzohet për pastrim parash, GJKKO shtyn në 18 janar seancën për Rezart Taçi

Gjykata e Posaçme shtyn për në 18 janar seancën ndaj biznesmenit Rezart Taçi, i akuzuar për "pastrim parash". 

Avokatët mbrojtës të biznesmenit në kërkim ndërkombëtar i kërkuan gjykatës pushimin e çështjes, me argumentin se drejtësia italiane ka pushuar çështjen për dy për dy persona të akuzuar për të njëjtën çështje.

Gjykata i ka dhënë kohë avokatëve të paraqesin me shkrim kërkesën.

Pas një viti pezullim Gjykata e Posaçme riaktivizoi fundvitin e shkuar procesin gjyqësor ndaj biznesmenit të hidrokarbureve, Rezart Taçi.

Biznesmeni i shpallur në kërkim prej nëntorit të vitit 2021 akuzohet nga SPAK si pjesë enjë grupi kriminal që po pastronte 18.3 milionë euro të mafies italiane. Por mosnjoftimi i tij për gjyqin u bë shkak për dështimin e seancës.

Gjyqi u shty për më 8 janar, ndërsa gjykata vendosi të bëjë njoftim me shpallje publike për biznesmenin. Në këtë përballje gjyqësore, Taçi akuzohet për "pastrim parash" dhe "grup të strukturuar kriminal".

Sipas një hetimi shqiptaro-italian ai ishte pjese e një skeme financiare të drejtuar nga dy shtetas italianë, një prej të cilëve i hetuar me herët në vendin fqinj për lidhje me njerëz të organizatës mafioze “Cosa Nostra”. Në qershor 2021, ata mbërritën në Shqipëri ku u pritën nga Artur Balla e Bledar Lilo, kunati dhe ish-shoferi i Taçit. Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme.

Sipas SPAK, teksa ndodhej jashtë vendit Taçi ka angazhuar Ballën e Lilon, për të kryer transaksione kundrejt kësaj shumë drejt Hong Kongut dhe Singaporit, operacion që u ndërpre, pasi SPAK sekuestroi shumën.

Bledar Lilo dhe Artur Balla u gjykuan dhe u shpallën fajtorë në një proces të veçuar, ku u dënuan me 7 vjet e 4 muaj dhe 6 vjet e 8 muaj burg. Sipas vendimi gjyqësor, që ka marrë edhe formë të prerë, shuma prej18.3 milionë euro është konfiskuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë