Drejtësia

Akuzohet për ngacmim seksual ndaj shitëses së dyqanit, burg për 27-vjeçarin në Tiranë

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Marash Gjoklajn, 27 vjeç, i cili akuzohet për ngacmim seksual dhe kanosje.

I riu, i cili në rrethana të dyshimta sapo kishte dalë nga burgu për vepra të ngjashme penale, u arrestua këtë fundjavë (25 nëntor), pasi u denoncua nga një 19-vjeçare me pretendimin se e kishte ngacmuar seksualisht në ambientin e saj të punës.

Sipas pamjeve filmike, i riu e ngacmon me fjalë të renë dhe largohet, ndërsa rikthehet më pas dhe tentoi të abuzojë seksualisht.

Herën e dytë pasi u rikthye, Gjoklaj iu afrua tek banaku dhe me fjalë fyese e kapi për dore dhe tentoi ta dërgonte në magazinë duke e goditur.

Gjatë kësaj kohe ai e dëmtoi në duar dhe e goditi tek pjesa e syrit të djathtë vajzën, duke i shkaktuar një hematomë dhe skuqje. Pas këtij momenti shitësja mundi të dalë në rrugë dhe të kërkojë ndihmë tek kalimtarët.

Në dëshminë e saj në polici, vajza tregoi se nuk e njihe 27-vjeçarin dhe nuk e kishte parë asnjëherë më parë.

Në të njëjtën ditë, Gjoklaj kishte ngacmuar dhe kanosur me thikë edhe një 20-vjeçare në “Rrugën e Dibrës”. Para togave të zeza 27-vjeçari deklaroi këtë të hënë se nuk i ka kryer veprimet për të cilat akuzohet.

Policia thotë se Gjoklaj ka qenë i dënuar më parë me 4 vite burg për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe aktualisht gëzonte lirinë me kusht.

Mbeten ende të paqarta argumentet e gjykatës se mbi çfarë baze i ka dhënë të riut lirinë pavarësisht dënimit për një vepër të rëndë penale.

Krahas veprave penale të abuzimit seksual që dhe është dënuar, ai është arrestuar më herët edhe për vjedhjen e parave të një gruaje. Për kjo përfundoi keq për Gjoklajn, i cili u mor peng nga 3 djemtë e 42-vjeçares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë