Drejtësia

Akuzohet për korrupsion, SPAK dërgon për gjykim ish-inspektorin e ISHSH

Gazeta Si - SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen ndaj ish-inspektorit pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Marvin Mersini.

Nga hetimet e kryera, del e provuar se më 25 maj 2023, Prokuroria e Posaçme është informuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që i pandehuri Marvin Mersini, duke qenë me detyrën e Inspektorit pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, duke mos qenë i planizuar që të kontrollonte në subjekte të ndryshëm tregtarë, ka ushtruar presion pranë një subjekti tregtar në qytetin e Tiranës.

Sipas SPAK, ai pretenduar se nuk kishte liçensimin e duhur për vijimin e aktivitetit dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Më tej, Mersini ka kërkuar ryshfet, ku ka thënë administratorit të subjektit tregtar se “një problem i tillë” mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës prej 500.000 lekë, por me kusht që një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve, ose në të kundërt do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.

Pas denoncimit, Marvin Mersini u arrestua në flagrancë në mjetin me të cilin po udhëtonte, ku iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 lekësh, e përftuar prej tij në mënyrë të paligjshme.

Marvin Mersini, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë