Drejtësia

Akuzohet për financim të ISIS. SPAK mbyll hetimet për Muhamet Manollarin, çështja i kalon GJKKO

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit”.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari. Ky i fundit, në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Mehdi Manollari është listuar në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.

Në datën 19.11.2018, Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS” (besohet të ketë vdekur në vitin 2019).

Për të dërguar këtë shumë parash, Muhamet Manollari, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë