Lajme

Akuzat për ryshfet, ALUIZNI: Prokuroria të hetojë pretendimin

Pas akuzave për ryshfet nga banorët mbrëmjen e djeshme në emisionin “Dritare” në News 24,vjen edhe reagimi i ALUIZNI-t.

Dje në emision një banor tha se iu kërkuan 30 mijë euro për të legalizuar një objekt. ALUIZNI i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë mbi pretendimin e ngritur nga qytetari.

ALUIZNI thekson se në kuadër të transparencës dhe mospërbaltjes së institucionit, u kërkojmë organeve kompetente të reagojnë dhe t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së këtij rasti. ALUIZNI angazhohet të bashkëpunojë me prokurorinë për të vënë para përgjegjësisë ligjore këdo të përfshirë.

Gjithashtu, “ftojmë qytetarin denoncues që, nëse i qëndron deklarimit publik, të na paraqesë informacionet që disponon për këtë rast që, me sa të mundemi të japim kontributin tonë për sqarimin e rastit. E themi këtë, pasi gjykojmë që gjendja e rënduar emocionale e tyre, nuk mund të bëhet shkak për të krijuar ankth dhe premisa çorientuese te masa e qytetarëve në nevojë që qetësisht vijojnë të ndjekin procedurat e legalizimit.

Institucioni i ALUIZNI-t është duke vijuar punën për të përmbyllur procesin e legalizimit sikundër premtuam 5 vite më parë, në nisje të punës sonë. Ne kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve mbi të gjitha për të denoncuar rastet korruptive që ndeshin në zyrat e institucionit”, thuhet në deklaratën e  ALUIZNI-t.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë