Drejtësia

Akuzat ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Lefter Maliqi në SPAK: Dorëzova provat për padinë time

Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Kuçovës, Lefter Maliqi është paraqitur të enjten  në SPAK.

Ai ka dhënë dëshmi para prokurorëve në lidhje me kallëzimet që ka bërë për zgjedhjet e 14 majit, në drejtim të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Në një prononcim për mediat, pasi doli nga SPAK, Maliqi tha se kishte dorëzuar provat për padinë e tij.

"U pyeta për Salillarin, tenderin korruptiv”, u tha ai gazetarëve. Ai shtoi se ka paraqitur në SPAK, "prova të sakta për dëmtim të pronës, korrupsion pasiv dhe aktiv, shpërdorim detyre, mosdeklarim, falsifikime, abuzime dhe për dhunim të qytetarëve ndaj pronës së tyre".

Maliqi u shpreh optimist sa i takon punës së SPAK duke e përgëzuar se po lufton korrupsionin. “SPAK po u vë tritolin pemës së rilindjes dhe po i krasit nga këmbët e krahët. Ahmetaj, Tahiri dhe së shpejti Gjiknuri po përfundojnë në burg”, tha Maliqi.

Ai zbuloi se më 4 tetor do të jetë sërish në SPAK për të sjellë prova të reja, “jo vetëm ndaj oligarkut Salillari, por dhe ndaj ish-ministrit Çuçi”.

Vetë Maliqi u shpreh i qetë dhe theksoi se nuk kishte frikë nga SPAK. “Mua le të më hetojnë, por vetëm qymez pulash do të më gjejnë“.

Maliqi ndoqi një rrugë të gjatë ligjore për të kontestuar zgjedhjet më 14 maj që u vulosën me vendimin e Kolegjit Zgjedhor pas hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë