Lajme

Akuzat e PD, Xhafaj: Vëllai im u gjend në vendin e gabuar, nën shoqërinë e njerëzve të gabuar

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj reagoi pas deklaratës së PD, që akuzonte vëllain e tij si të dënuar në Itali me 7 vite burg për trafik droge

Ministri Xhafaj i cilësoi baltë ndaj punës së tij akuzat e PD ndaj të vëllait. “Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerzëve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë, ku unë bëj pjesë. Ajo ka qënë e mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij” – deklaroi Xhafaj.

Ministri tha se vendimi i gjykatës italiane gjendet lehtësisht online dhe është një çështje e njohur prej kujtdo të interesuar, shqiptar apo partner ndërkombëtar dhe ai nuk ka dhe nuk ka patur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi atë ngjarje.

“Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur opozita, që e rizbuloi sot ishte në pushtet dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje” vijoi reagimin e tij Xhafaj.

Në deklaratën e tij, ministri siguroi se qeveria nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt, as atij vetë.

“Kurrë nuk e kam shkelur e nuk do të shkel ligjin, as për llogarinë time dhe as për llogarinë e të afërmve apo të njohurve të mi. Të tjerat janë politikë e llojit më të ulët dhe nuk janë puna ime"- mbylli deklaratën e tij ministrin i Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë