Politike

Akuzat e “MotherJones” nuk sprapsin lobimin në Uashington

Partia Demokratike duket se po përgatitet për përshkallëzimin e qëndrimit dhe protestave të saj kundër mazhorancës, duke filluar që nga muaji shtator, kur do të mblidhet sërish Parlamenti pas pushimeve të verës.

Për këtë kauzë, demokratët kanë nisur edhe lobimin në Uashington.

Në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë është publikuar një kontratë lobimi e Partisë Demokratike me kompaninë “Sonoran Policy Group”, e njohur për kontaktet që ka me njerëzit pranë Presidentit Donald Trump.

Kontrata mban datën 12 qershor të këtij viti dhe vlefshmëri deri në muajin tetor. Për shërbimet e grupit “Sonoran”, Partia Demokratike ka derdhur shumën prej 40 mijë dollarësh.

Pjesë nga kontrata lobuese e publikuar në faqen e Departamentit të Drejtësisë në SHBA

Lobimi në Kongresin dhe në Shtëpinë e Bardhë në SHBA është një aktivitet që në një vit gjeneron miliona dollarë për kompanitë ndërmjetësuese, që paguhen nga udhëheqës, subjekte politike, individë e shoqata të vendeve të ndryshme të botës.

Kjo nuk është hera e parë që një parti politike shqiptare lobon në Uashington. Më herët, po Partia Demokratike u vu në qendër të mediave për një kontratë të nënshkruar me kompaninë “Biniatta Trade” të regjistruar në një parajsë fiskale dhe pas të cilës, sipas revistës amerikane “MotherJones”, qëndronin dy kompani ruse.

“MotherJones” fliste për mijëra euro, burimi i të cilave ishte i dyshimtë dhe pyetjen e madhe që ngrinte në atë kohë ishte nëse lobuam rusët për Lulzim Bashën në Uashington apo jo? Në Tiranë mazhoranca akuzonte opozitën për këtë çështje, madje në komisionet parlamentare, deputetë të saj kërkuar hetim ndaj Lulzim Bashës për këtë çështje.

Çështja u vendos në qendër të diskursit politik në muajin mars, aq sa për akuzat ndaj Partisë Demokratike nga ana e mazhorancës ndërhyu edhe Ambasada Ruse në Tiranë.

“Një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë. Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Edhe Lulzim Basha i cilësoi akuzat trillim dhe akuzoi mazhorancën e qeverinë se kishte paguar me para të drogës dhe krimin artikullin e publikuar nga “MotherJones”.

Por jo vetëm PD. Në qendër të investigimeve të “MotherJones” u vendos edhe gjysma tjetër e opozitës, LSI. Në artikullin publikuar në muajin prill dhe të titulluar: “Kush e paguan Bcuk McKeon-in në favor të një partie shqiptare? Si përdori kompania misterioze një kongresmen republikan për të lobuar me Trumpin dhe Kongresin?”, MotherJones citon disa veprime financiare, që i quan të dyshimta në favor të lobimit për Lëvizjen Socialiste për Integrim në SHBA.

Edhe LSI reagoi duke deklaruar se do të padisë revistën për këtë artikull, që e quajti të trilluar dhe shpifje të paguar nga paratë e drogës së Edi Ramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë