Politike

Akuzat për Olsi Ramën, ministrat i kundërvihen Bardhit: Pyet Saliun kush është ai 45-vjeçari brun

Kryeministri Edi Rama nuk pranoi kërkesën e Gazment Bardhit për një interpelancë ditën e enjte lidhur me akuzat adresuar vëllait të tij, Olsi Rama. Ndryshe nga Rama, ata që bënë mbrojtjen ishin ministrat e tij në rresht.

Fillimisht ishte kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi që i kërkoi Lindita Nikollës që ta fuste në rend dite kërkesën për interpelancë.

“Unë nuk e di se çfarë quani ju veprimtari shtetërore, por për mua trafiku ndërkombëtar i drogës është çështje prioriteti kombëtar. Veprimtaria e institucioneve të shërbimeve sekrete në raport me trafikun ndërkombëtar të drogës është çështje e veprimtarisë shtetërore. E kuptoj që trafiku ndërkombëtar i drogës për Edi Ramën është çështje private. Se nëse familjar të tutës janë të përfshirë në trafik droge, pa dyshim që luftën ndaj trafikut të drogës nuk e konsideron veprimtari shtetërore...”, tha ndër të tjera Bardhi, duke iu referuar një shpjegimi më të hershëm të kryeministrit Rama për këtë çështje. Pas tij reagoi ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin,  Elisa Spiropali.   

“Ju duhet të jeni shumë i qetë. Se çorba që u gatua së pari nga Berisha për konsum publik, u soll e ngrohur nga Basha dhe tani e risillni ju akull fare sërish këtu për ta konsumuar, për të goditur kryeministrin duke u marrë më familjarët. Kjo është shumë e vjetër. Ka hyrë në laboratorin e SPAK ku do ti bëhen analizat. Këtë sulmin tuaj të përsëritur është shumë bajat. Ju që jeni edhe kallëzues, edhe i kallëzuar do keni mundësi që në SPAK i nderuar të merrni përgjigjen e duhur nga drejtësia, nëse jeni kallëzues i vërtetë apo i rremë, siç keni dalë si familje politike. Përfshirë edhe Bashën që e ka bërë këtë akuzë kur ishte zgjuar. Kjo çorba juaj s’ka lidhje me seancën plenare. Ju nuk jeni prokuror dhe lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj. Shumë prej jush janë fshehur kur keni shkuar atje, jo po më tha partia, jo po ishte deklaratë politike”, tha Spiropali.

Më tej reagoi  Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Më vjen mirë që keni hapur arkivat e vjetra të baltë së SHQUP për t’iu shmangur debateve të brendshme edhe brenda vetë grupit tuaj parlamentar. Rikthimi në diskursin politik të parafolësit apo ndonjë folësi tjetër të foltores për një çështje që e kemi stërdebatuar me njëri tjetrin që nga janari 2015. Më 13 janar 2015 Policia e shtetit në bashkëveprim me Prokurorinë  organizuan një operacion në Xibrakë, ku sipas asaj që është bërë publike është zbuluar laborator kokaine. Atë ditë pasdite, në PD në godinën e rë të SHQUP, njëri prej folësve të PD u thirr me urgjencë, me urdhër të pronarit, jo të drejtorit të SHQIP, dhe deklaronte se fabrika e Xibrakës ishte e taulant ballës. Deputeti i PD i shkruan Berishës, pronari të SHQUP-it, i thotë që Balla është në Librazhd. S’ka problem i thotë doktori, duhet të dalë urgjentisht duhet ta fajësojmë një nga PS...”, tha ndër të tjerra Balla

Më tej ai shton: “Ky diskutim vijon për disa minuta dhe del PD dhe akuzon Ramën, Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli para. Jo ju që keni mbetur këtu, ata që kanë qenë këtu e dinë kush është ai bruni flokëshkurtër 45 vjeç. E di fare mirë ti. Shko pyet Saliun, shko sot poshtë ballkonit, dhe thuaj Sali kush është ai. E di Saliu, e ka thënë këtu në sallë kush është. Është i lidhur me një deputet të partisë tënde. Nëse ju keni besim, pse nuk keni durim ta hetojë edhe këtë çështje SPAK. Kreu i grupit të PD është detyrë shumë e rëndësishme. Shko bëj kallëzim, mos bëj njoftim. Bëje kallëzim. Për kallëzim të rremë shko në kokërr të burgut, shko bëj kallëzim. Sot në orën 6 shko thuaj Sali kush është ai 45-vjeçari ta thotë ai, ta thonë edhe shokët e rreshtit të fundit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë