Ndërsa grupimi i aktorëve, regjisorëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile të mbledhur nën çadrën e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” janë me sytë nga reagimi i Presidentit dhe një takim të dytë me Ambasadoren e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin mbi çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar, një grup aktorësh e regjisorësh të skenës kanë firmosur një peticion drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si edhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, duke kërkuar ndërtimin e një teatrit të ri Kombëtar.
Ky peticion mban firma nga aktorë si Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Leka Bungo, Albert Minga, Arben Derhemi, regjisori Spiro Duni, aktorët Artan Imami, Sotiraq Bratko, Zamira Kita e të tjerë.
Ky grupim i ri ka shprehur shqetësimin për një godinë të re duke kërkuar të mos humbet më kohë, por që puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar të nisë menjëherë,
“Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, dëshirojmë t’iu bëjmë me dije dhe të shprehim vullnetin tonë me anë të këtij peticioni të hapur, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern, ku t’i shërbejë të gjithë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës. Ritheksojmë, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone. Le të mos humbasim me kohë, por t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të ardhmes”, shkruhet në peticion.
I pyetur rreth kësaj çështje, regjisori Kastriot Çipi, aktiv në protestat kundër shembjes së godinës së teatrit ka thënë "Gëlltit diku një lugë çorbë të prishur dhe vjell tërë jetën. Ky është komenti im", ndërsa ka shtuar se ky ngut për t'i dërguar Presidentit këtë kërkesë vjen edhe për shkak se po skadon afati që presidenti të shprehet nëse e miraton apo refuzon ligjin e votuar më 5 korrik nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë.
Lista e plotë e firmëtarëve që kërkojnë Teatër të Ri
Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Spiro Duni, Leka Bungo, Albert Minga, Arben Derhemi, Sotiraq Bratko, Kliti Roshi, Zamira Kita, Artan Imami, Genti Kame, Genti Deçka, Arjola Basha, Gent Hazizi, Gerti Ferraj, Hervin Çuli, Suela Konjari, Laxarela Deti, Mateus Frroku, Paola Kodra, Blerta Belliu, Shkelqim Jaupi, Guri Koço, Klaudia Hila, Nelson Mulla, Erion Isai, Violeta Trebicka, Gazmend Paja, Roland Saro, Jorke Broka, Erblin Bajko, Olsi Bylyku, Edmond Lako, Ilir Muhametaj, Ledio Lako, Irgen Çela, Klesta Shero, Roerd Toçe, Ami Hansellia, Andon Koço, Jonida Beqo, Laid Ymeri, Danier Shkurti, Edvin Mustafa, Valdano Bajrami, Besart Cani, Armela Demaj, Engjell Hoxha, Ajliçe Petrela
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.