Bota

‘Akt moral’ pas humbjes në zgjedhje/ Dimitar Kovaçevski jep dorëheqje nga posti i kryetarit të LSDM

Nga Gazeta 'Si'- Dimitar Kovaçevski ka konfirmuar sot zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së. Kovaçevski e kishte shpallur dorëheqjen më 8 maj, si akt moral dhe në përputhje me statutin e partisë.

“Ju informojmë se në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, kryetari Dimitar Kovaçevski konfirmoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të LSDM-së, të cilën e kishte shpallur më 8 maj, si akt shumë moral dhe në përputhje me Statutin e Partisë ka iniciuar mbajtjen e Kongresit të LSDM-së me qëllim të analizës së rezultateve zgjedhore dhe deklarimit të besimit në organet e LSDM-së, të zgjedhura nga Kongresi, në funksion të rezultateve zgjedhore”, - njoftuan sot pasdite nga Bordi Ekzekutiv i LSDM-së.

Ish-kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit në Maqedoninë e Veriut u shpreh se nuk e priste këtë humbje të thellë duke pranuar se partia që ai drejtonte mori një goditje të fortë.

Kovaçevski paralajmëroi se duhej një reformim brenda partisë dhe se duhet të reflektonin mbi këtë humje të madhe. Ai tha në atë kohë se nuk do të merrte vendime të përshpejtuara duke u bërë thirrje organeve partiake që të nisin zgjedhje brenda tyre në nivelin lokal dhe qendror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë