Drejtësia

Akt ekspertiza financiare e Gërdecit, SPAK: Sa miliona humbi shteti nga demontimi i municioneve!

SPAK depozitoi sot si provë shkresore një ekspertizë financiare në gjyqin e Gërdecit, ku i pandehur është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me shpërthimin në ish-fabrikën e demontimit të armëve, më 15 mars 2008.

Sipas këtij akt ekspertimi të cilit i referohet ReportTV, çmimi i municioneve për demontimin është vendosur ai i ofruar nga kompania amerikane SAC, përfaqësues i së cilës sipas hetimeve ishte një i njohuri i Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllari. Ndërsa Komisioni i Miratimit të Çmimeve nuk ka kryer asnjë llogaritje. Raporti nënvizon se nëse do të bëhej një përllogaritje e saktë atëherë nga shitja e municioneve për qëllime demontimi shteti do të fitonte 8.6 mln dollarë.

“Për sa i përket llogaritjes së çmimit të shitjes së municioneve, në aktin e ekspertimit ekonomiko financiar është arritur në përfundimin se, Komisioni i Miratimit të Çmimeve me vendimin nr.1 datë 10.04.2007 ka vendosur caktimin e çmimit të municioneve për demontim, për municionet e kërkuara nga SAC, duke iu referuar ofertës së çmimeve të ofruar nga shoqëria SAC inc dhe pa u kryer ndonjë llogaritje të çmimeve nga vetë komisioni.

Lidhur me municionet e kalibrit 8 mm (të urdhëruara për t’u dorëzuar me urdhërin nr.1300 datë 07.08.2007) nuk është vendosur çmimi nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve. Sipas aktit të ekspertimit, nëse për këto municione do të caktohej çmimi i saktë i tyre, diferenca e vlerës në total lidhur me këtë lloj municioni është në shumën 17,531,056.19 lekë, e cila përfaqëson vlerën e humbur nga shitja e këtij lloji municioni.

Po kështu, është arritur në përfundimin se Komisioni i Çmimeve në caktimin e çmimeve të municioneve me vendimin nr.01 datë 19.11.2007, nuk ka dokumentuar se cilët janë dhe çfarë vlere kanë, elementët e veçantë të përbërjes së çmimit, shuma e të cilave do të përcaktonte çmimin e vendosur nga komisioni në mënyrë të rregullt.

Për çmimet e miratuara nga Komisioni i Çmimeve me vendimin nr.1 datë 10.04.2007, në aktin e ekspertimit është arritur në përfundimin që, nëse çmimet do të ishin llogaritur në mënyrë të rregullt, ka një diferencë në total prej 834,283,584 lekë (8,690,454 USD), që përfaqëson vlerë të mungur në shitjen e municioneve për qëllime demontimi me çmimet e miratura" thuhet në akt ekspertim.

Sipas akt akspertizës, çmimet që u miratuan nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve në nëntor 2007 nuk kanë qenë të njëjta me ato të përdorura nga po këto municione nga Uzina Mekanike Gramsh duke I shkaktuar dëm shtetit 78 mln lekë

“Edhe në lidhje me çmimet e miratuara nga Komisioni i Miratimit të Çmimeve për me vendimin nr.1 datë 19.11.2007, që lidhet për municionet e kategorizuara me vendimin nr.7 datë 19.11.2007 të Komisionit të Posaçëm të Kategorizimit, në aktin e ekspertimit është përcaktuar se komisioni nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e V.K.M nr.138 datë 14.03.2007 dhe urdhëri i Ministrit të Mbrojtjes me nr.417 datë 02.04.2007. Sipas çmimeve të llogaritura nga ekspertët vetëm për disa lloje shtime, duke krahasuar çmimet e përdorura për këto municione nga Uzina Mekanike Gramsh me ato të Komisionit të Çmimeve, vlera e llogaritur si dëm ekonomik është në total në masën 78,577,986 lekë”

SPAK nënvizon gjithashtu se edhe trualli dhe ambientet e ish-Brigadës së Tankeve, në Gërdec, janë shfrytëzuar pa qira, të cilat nëse do të vileshin, do të kishin vlerën e 8 mln lekëve.

“Për sa i përket shpenzimeve të qirasë për shfrytëzimin e ambienteve të ish-Brigadës së Tankeve, në Gërdec… Në aktin e ekspertimit është përcaktuar se sipas kontratës nr.1 datë 06.06.2007 është lidhur kontrata e qirasë midis shoqërisë Albademil dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, për objektin godinë 66.5 m2 dhe sipërfaqe prej 200 m2. Ka rezultuar se ka mbetur pa u likujduar qiraja sipas kontratave për periudhën janar-15.03.2007 ne lerën 67,957 lekë, të cilës duke i shtuar edhe kamatvonesat shkon në shumën 81,276 lekë.
Sipas aktit të ekspertimit për periudhën nga data 01.01.2008-15.03.2008 janë përdorum nga shoqëria Albademil sh.p.k sipërfaqe trualli dhe objekti të ndodhur në "Ish Brigatën e ankeve", në Gërdec, të cilat do të kishin vlerën e qirasë prej 8,222,679 lekë”, thuhet mes të tjerash në akt ekspertimin ekonomiko financiar që u depozitua sot si provë nga SPAK në GJKKO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë