Ngjarje

Aksidenti tragjik në Greqi, 3 shqiptarë mes pasagjerëve të zhdukur në Larisa

Gazeta Si - Mes personave që rezultojnë të zhdukur pas tragjedisë hekurudhore në Greqi dy ditë më parë, dyshohet se janë edhe 3 shqiptarë.

Klaudia Lata, 21-vjeçe, emigrante në Greqi, u shpall e zhdukur nga familja e saj, pasi rezulton të ketë qenë në trenin e pasagjerëve që u përplas me atë të mallrave, ku humbën jetën 57 persona.

Sipas faqes në Facebook, Komuniteti Shqiptar Greqi, studentja e Mjekësisë ishte pasagjere në vagonin 2 në aksidentin tragjik që ndodhi të martën në mbrëmje në Larisa.

“Familja Lata, e cila ka emigruar në Larisa, ka njoftuar humbjen e Klaudia Latës. Shpresat që vajza e tyre të jetë mes të mbijetuarave janë shuar, megjithatë ekipet e shpëtimit po bëjnë të pamundurën për të gjetur të gjithë të humburit. Ka filluar procesi i identifikimit të ADN-së”, - thuhet në një shënim të Komunitetit Shqiptar Greqi.

Të humbur dhe në pritje të përgjigjes së ADN, që kanë dhënë të afërmit e tyre, janë edhe dy shqiptarë të tjerë: Denis, Ledio Ruci dhe Pavlin Bozo.

Sipas burimeve diplomatike, deri tani raportohet për dy shtetas shqiptarë që ndodhen në spitalin e Larisës në reanimacion. Ata janë, Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeçe.

Ndërkohë që pesë shqiptarë të tjerë, të cilët edhe ata ndodheshin në trenin e pasagjerëve, kanë pësuar plagë të lehta dhe kanë lënë spitalin.

Në Spitalin Genimatas Selanik, ishin: Erisa Almeta, 12 vjeçe, Vanesa Plasa, 13 vjeçe, Frankli Besaj, 20 vjeç, Dhimitër Zonga, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Në seancën e sotme plenare në Kuvend, deputetët shqiptarë mbajtën një minutë heshtje për viktimat e kësaj tragjedie në shtetin fqinj.

Një ditë më parë, e gjithë politika shqiptare ndau mesazhe ngushëllimi për tragjedinë hekurudhore në Larisa.

Përplasja e një treni mallrash me një tren pasagjerësh rezultoi katastrofal. Me mbi 40 viktima dhe dhjetëra persona të tjerë u raportuan të plagosur.

Pas këtij aksidenti që rezultoi fatal ka dhënë dorëheqjen ministri i Transporteve  Kostas Karamanlis, ndërsa vendi shpalli tri ditë zie kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë