Njerez

Aksidenti tragjik i shqiptares në Itali, të gjitha dyshimet dhe gjesti prekës i babait të 19-vjeçares

Gazeta Si - “A dua të di të vërtetën për atë që ndodhi? Dhe për çfarë shërben? Kam humbur një vajzë dhe asgjë nuk mund ta kthejë atë, as e vërteta…”.

Baki Spahillari tund kokën. “Nuk mbaj inat”, siguron ai. Babai i Eraldës, shqiptares që humbi jetën në aksidentin e të dielës në Gorgo al Monticano, është murator.

Ai kishte ardhur nga Shqipëria shtatë vjet më parë dhe jeton në një godinë në Ponte di Piave, në zonën e Trevizos.

I ulur në divanin e shtëpisë, i rrethuar nga miqtë që përpiqen ta ngushëllojnë, ai bashkon fjalët për të përshkruar vajzën që i vdiq në moshën 19-vjeçare në një makinë të drejtuar nga i fejuari i saj, Mikele Tatani, shqiptar si ajo, i cili është në të njëjtën moshë dhe që tani po lufton për jetën në spital.

“Eralda studionte për estetiste, donte të hapte një qendër të sajën. Ishte një vajzë inteligjente, e ndërgjegjshme, punonte në piceri në mbrëmje për të fituar diçka. Ishte e këndshme: ajo dhe unë gjithmonë argëtoheshim, luanim bashkë dhe ajo më bëri të qeshja shumë”.

Mikele Tatani dhe Eralda Spahillari

"Unë gjithmonë i kam besuar atij"

Herën e fundit që e pa vajzën e tij, ishte mesdita e të shtunës, disa orë para aksidentit tragjik.

“Ajo doli me të fejuarin dhe më pas shkoi në punë. Pas mbaroi punë në piceri doli përsëri me miqtë dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha ai.

Baki Spahillari përsërit vazhdimisht se nuk mban mëri, të paktën ndaj të fejuarit të Eraldës, që ngiste BMË-në e të atit atë mbrëmje me 140 kilometra në orë.

“Mikele është djalë i mirë, i kam besuar gjithmonë. Ai nuk pi alkool dhe nuk e besoj historinë që ka nisur një garë shpejtësie me miqtë në makinën tjetër”, tha ai.

Nuk është thjesht një frazë sa për të kaluar radhën. Mes dhimbjes, Baki Spahillari shkoi pasditen e së hënës në shtëpinë e Nesret Tatanit, babait të Mikeles.

Të dy humbën shumë nga kjo ngjarje. Bakiu vajzën, Nesreti nusen. Dhe pas të gjithave, djali, Mikele ndodhet në spital dhe nuk dihet nëse do t’ia dalë.

Roli i 4 miqve

Të dy prindët janë përqafuar me njëri tjetrin dhe qanë së bashku për këtë tragjedi.

Djali im është në koma, i intubuar”, thotë Nesreti. Nuk ishte hera e parë që ai ia jepte djalit makinën për ta ngarë.

“Por Mikele ishte një djalë me këmbë në tokë. Nuk e kuptoj dot se çfarë ndodhi atë natë. Disa pjesë të kësaj historie mungojnë dhe shpresoj që karabinierët t’i zbulojnë”, tha ai.

Por ndryshe nga babai i Eraldës, Nesreti i bën vetes shumë pyetje. Ai kërkon që të dijë rolin e katër djemve që kishin kaluar mbrëmjen me djalin e tij dhe që udhëtonin me një makinë tjetër, një “Polo” e bardhë.

“Kur arrita në vendin e aksidentit nuk kishte asnjë shenjë prej tyre. Ata u shfaqën disa orë më vonë, pa makinën që kishin përdorur më parë. Më thanë se nuk ishin aty në momentin e përplasjes, ishin në një rrugë tjetër. Por pyes veten pse “Poloja” e tyre ka një pasqyrë anësore të majtë të thyer dhe trupi i BMË-së sime ka gërvishtje në anën e djathtë?”

Këto dyshime e mendojnë prej dy ditësh. Nesret Tatani ndihet i tradhtuar.

“Unë i njoh prej vitesh ata fëmijë. Kanë ardhur për të ngrënë në shtëpinë time, gjithmonë i kam pritur. Megjithatë janë të vetmit që nuk kanë ardhur ende për të më ngushëlluar. Duket sikur janë zhdukur. Është e çuditshme”, tha ai.

Lufta për jetën

Nesreti ka marrë një avokat që do të ketë për detyrë të mbrojë djalin e tij nga akuza e vrasjes në rrugë, por edhe të zbardhë rolin e 4 djemve të tjerë në makinën “Polo” të bardhë.

Të hënën, pas përqafimit me babain e Eraldës, ai shkoi në spital. Gjendja e të birit është e rëndë, por e stabilizuar.

Edhe Daniel Castelli, 18 vjeç, po lufton me jetën. I riu ishte në sedijen e pasme të makinës kur u aksidentua.

Në krahun tjetër, në Oderzo, jeton nëna e viktimës tjetër, 17-vjeçares Barbara Brotto. Ajo është e tronditur. Për t’u përkujdesur për të në këto momente kanë shkuar njerëzi më të afërt.

“E gjeti veten në kohën dhe vendin e gabuar”, thotë tezja e vajzës së re. Erica, kushërira e 17-vjeçares, shprehet e zemëruar me drejtuesin e mjetit.

“Në moshën 19-vjeçare nuk mund të lëvizësh me 140 në orë. Këta fëmijë duhet të jenë më të përgjegjshëm. Dhe prindërit e tyre duhet ta kuptojnë këtë. T’i japësh një makine kaq të fuqishme një fëmije, pak më shumë se 18 vjeç, është si t’i vendosësh një armë në dorë”, tha ajo.

Heshtje

Ndërkohë, në një pallat në Annone Veneto, në provincën e Venecias, një tjetër i ri shqiptar, Gëzim Qerosi, qëndron në shtëpi bashkë me gjyshin dhe familjen që i ka dalë në mbrojtje.

“Nuk ka asgjë për të thënë”. Megjithatë, do të kishte shumë gjëra për të treguar, ky 18-vjeçar vjeç (në maj do të mbushë 19 vjeç) me origjinë shqiptare që luan futboll në ekipin e qutezës së tij dhe që e njeh Mikele Tatanin prej kohësh.

Ai është një nga shokët që shkonte në shtëpinë e Nesretit dhe ishte një nga katër djemtë që atë natë e kaloi mbrëmjen me Eraldën, Barbarën, Mikelën dhe Danielin.

Gëzimi ishte ai që po lëvizte me “Polo”-n e bardhë dhe tani edhe e gjen veten nën hetim për vrasje në rrugë.

Të dielën, dy adoleshente, një prej të cilave shqiptare, humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik. Viktimat janë Eralda Spahillari, 19 vjeçe dhe Barbara Brotto, 17 vjeçe. Në makinë në momentin e ngjarjes ndodheshin edhe dy djem të cilët mbetën për të plagosur, njëri prej tyre shqiptari Mikele Tatani.

Burimi: "Corriere della Sera"; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë