Rend dhe Ligj

Aksidentet rrugore, 45 shoferë të arrestuar në një javë. Pezullohen 109 leje drejtimi dhe mbi 27 mijë gjoba

Gazeta Si - Policia Rrugore është vendosur në aksion në të gjitha akset kombëtare problematike këtë fundjavë për të parandaluar aksidentet dhe ndëshkuar shkelësit e qarkullimit rrugor.

Në një njoftim, thuhet se janë arrestuar 45 shoferë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi apo në efektin e lëndëve narkotike.

Ndërsa, janë pezulluar 109 leje drejtimi, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për drejtim mjeti në efektin e alkoolit apo të lëndëve narkotike

Sakaq, janë ndëshkuar me masë administrative gjithsej 27.377 drejtues automjetesh dhe motomjetesh, për shkelje të ndryshme,

Nisur nga shtimi i fluksit të automjeteve, kryesisht drejt zonave bregdetare, turistike dhe qendrave tregtare e urbane, si dhe bazuar në analizën e detajuar të shkaqeve të ngjarjeve rrugore, Policia Rrugore në të gjithë vendin ka marrë një sërë masash shtesë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Në të gjitha akset nacionale dhe qendrat e mëdha urbane janë intensifikuar monitorimet me mjetet inteligjente, radarët automatikë, me kamera dhe me patrulla të lëvizshme me mjete të paloguara. 

Policia thekson se janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 4 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, nga drejtuesit e automjeteve, me qëllim shmangien e masës adiministrative për shkeljen e kryer. 

Në të gjithë vendin janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative gjithsej 27 377 drejtues automjetesh dhe motomjetesh, për shkelje të ndryshme, nga këto:   

1254 drejtues automjetesh që përdornin celularin gjatë drejtimit të automjetit;  

7845 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, por pa masën plotësuese pezullim i lejes së drejtimit;

1516 drejtues automjetesh, për mosvendosje të rripit të sigurimit;

13 543 drejtues automjetesh, për parkime të gabuara;

351 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

 2306 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakim të gabuar.

562 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë