Lajme

Aksident në Greqi, digjen 11 emigrantë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në aksin rrugor Kavala-Selanik, e për pasojë humbën jetën 11 refugjatë.

Aksidenti ka ndodhur në orën 05:15, pasi automjeti me të cilin udhëtonin me shpejtësi të madhe është përplasur me një kamion dhe pas goditjes të dy mjetet kanë marrë zjarr.

11 refugjatët që ndodheshin brenda automjetit nuk mundën të dilnin dhe janë djegur të gjallë. Ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër është plagosur lehtë.

Sipas vlerësimeve të para të policisë rrugore që ka shkuar në vendngjarje drejtuesi i mjetit me të cilin udhëtonin refugjatët ka humbur kontrollin për arsye që ende nuk dihen.

Gjithashtu thuhet se 11 refugjatët kanë qenë viktima të rrjeteve të trafikantëve. Ata ishin marrë nga kufiri greko-turk për t’i çuar në Selanik përkundrejt pagesës.

Për shkak se janë djegur të gjithë është shumë i vështirë identifikimi i trupave të tyre dhe do të priten analizat e ADN për verifikim.

Policia rrugore gjithashtu ka filluar një hetim të posaçëm për këtë aksident tragjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë