Njerez

Aksident me ski/ Humb jetën në moshën 37-vjeçare aktori i njohur francez, Gaspard Ulliel

Aktori francez, Gaspard Ulliel, i cili u bë i njohur në botë për rolin e Yves Saint Laurent në filmin biografik të vitit 2014, humbi jetën të mërkurën në moshën 37-vjeçare nga lëndimet si pasojë e një aksidenti me ski, tha familja e tij në një deklaratë dërguar AFP nga agjenti i tij.

Ai ishte me pushime me familjen në Savoy. Ai u përplas me një tjetër skiator në kryqëzimin e dy pistave. I plagosur rëndë, ai u transportua me helikopter në spitalin universitar në Grenoble ku më pas vdiq.

“Gaspard Ulliel vdiq në një aksident me ski të mërkurën”, thuhet në deklaratë.

Karriera e Gaspard Ulliel shpejt merr kthesën e ngjitjes marramendëse, një film pas tjetrit, një pasarelë pas tjetrës, kopertina, intervista, në Francë - ku të gjithë e njohin - por edhe në Amerikë.

Ulliel fitoi vëmendjen ndërkombëtare për performancën e tij si kanibali i famshëm në “Hannibal Rising”.

Ndër rolet e tij më të rëndësishme edhe ai i Yves Saint-Laurent në biografinë e stilistit të krijuar nga Bertrand Bonello ku puth Louis Garrel (“puthja më e bukur e karrierës sime”): “Wshtw njw pjesw e imja tek Yves – tha ai - dhe në të njëjtën kohë arrita të bëhem i tillë gjatë xhirimeve, pasi kisha marrë frymëzim nga e gjithë jeta e tij dhe nga veprat e tij”, në fund të fundit, nëna e tij, stilistja dhe babai i tij, stilisti, i kishin mësuar diçka. Në vitin 2016 ai fitoi César-in e dytë si aktori më i mirë kryesor në filmin “It's Only the End of the World”, shkruar dhe drejtuar nga Xavier Dolan. Megjithatë, kohët e fundit ai kishte luajtur edhe në Moon Knight, serialin që pritet në fund të marsit.

Ulliel ishte gjithashtu imazhi kryesor i kompanisë Channel për një nga parfumet e tij më të famshme Bleu de Channel.

Ai e përmblodhi kështu filozofinë e tij si aktor: “Sa më kompleks dhe intrigues të jetë një rol, aq më shumë më pëlqen. Dhe nëse në fillim zgjedh regjisorin dhe më pas filmin, tani jam duke kërkuar një personazh të vështirë për t’u interpretuar, sepse jam i bindur që një aktor duhet të shkojë drejt thellësisë dhe vështirësisë së të shprehurit për të pohuar veten. Ajo që bën dallimin në karrierën e një regjisori apo një aktori, për mendimin tim, është të vazhdosh të kërkosh; nëse ndalemi, është si të vendosim se ka mbaruar. Kjo ide për të vënë gjithmonë në dyshim gjithçka, për të eksploruar pak më tej, për të kapërcyer pak veten duhet të jetë ‘udhërrëfyesi’ i profesionit tonë dhe në përgjithësi i artit, që për mua është të përfaqësosh botën, duke thyer rregullat, duke bërë që e reja të shpërthejë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë