Motosport

Aksident i rëndë, ish-piloti Aleks Xanardi në gjendje kritike për jetën

Aleks Xanardi, ish-piloti italian i Formula 1, është aksidentuar rëndë mbrëmjen e së premtes dhe është në rrezik serioz për jetën. Ai është transportuar në spital dhe i është nënshtruar menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë, që ka zgjatur më shumë se dy orë. Aksidenti ka ndodhur afër Piencas, ku biçikleta me duar e Xanardit është përplasur me një kamion.

Ish-piloti, tani me aftësi të kufizuara, ka bërë terapi intensive dhe gjatë natës nuk ka pasur komplikacione, por gjendja e tij mbetet e rëndë. Jeta e Aleks Xanardit, i lindur në Bolonja, më 23 tetor 1966, ka qenë e mbushur me sfida, gjithmonë në limit. Dy javë më parë i përfaqësonte ekipin paraolimpik italian gjatë transmetimit të “Mos u dorëzo kurrë”, duke dhënë një mesazh rilindjeje për Italinë pas koronavirusin.

Vendi ku ndodhi aksidenti. Gazeta Si, 20 qershor 2020

Tani po lufton për të mbijetuar dhe e gjithë bota e sportit dhe jo vetëm i ka shprehur mbështetje maksimale në këtë moment të vështirë. Aleks Xanardi, për të gjithë është shembulli i njeriut që merr më të mirën nga vetja në kohë të vështira. Ai është njeriu që nuk dorëzohet kurrë dhe aksidenti që ai pësoi teksa stërvitej me “handbike”-un e tij, i ka dëshpëruar të gjithë.

Xanardi është njeriu që u dashurua me Formulën 1, e nisi me nivelin më të ulët dhe i ngjiti shkallët me shpejtësi, derisa në viti 1991 debutoi me makinën “Jordan” e më pas kaloi te “Lotusi”. Në “Formula Cart”, pas një viti ambientim, u shpall dy herë kampion. U kthye në Formulën 1 në vitin 1999 me “Williams”, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve dhe në vitin 2000 u kthye në Amerikë.

Më 15 shtator 2001, në cirkuitin e Lausitzring në Gjermani, u përfshi në aksident me Hondën e tij, duke u përplasur me Aleks Talianin. Një aksident shumë i rëndë, piloti italian u transportua me helikopter në Berlin, ku qëndroi 4 ditë në gjendje kome. Qëndroi 6 javë i shtruar dhe kreu gati 15 operacione, duke humbur gjymtyrët e poshtme. Por ai nuk u dorëzua kurrë dhe falë kurajës së tij iu përkushtua sërish sportit, këtë herë paraçiklizmit, duke garuar me “handbike” në kategoritë H4 dhe H5. Gara e tij e parë ishte maratona Nju Jorkut në vitin 2007.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë