Motosport

Akordi sekret me Ferrarin, rrëfehet Ljuis Hemilton: Nuk e dinin as prindërit e mi!

Gazeta Si – Marrëveshja mes Ljuis Hemilton dhe Ferrarit për 2025-ën ishte surpriza më e madhe në Formula 1. Ky akord për transferimin nga Mercedesi te skuderia italiane nuk ka befasuar vetëm F.1.

Në fakt, as familja e pilotit britanik, 7 herë kampion bote, nuk dinte asgjë për bisedimet e Ljuisit me Ferrarin. Prindërit dhe vëllezërit e tij janë habitur nga lajmi. E ka treguar këtë histori vetë Hemilton, duke folur për “F1: Back at Base", podkasti i ri i Bbc-së.

Piloti anglez ka një raport shumë të ngushtë me familjen, por kjo nuk mjaftoi që ai t’u tregonte prindërve planet e tij. "Nuk kam folur me askënd për Ferrarin. Nuk u kam treguar as prindërve deri ditën kur u bë i ditur lajmi zyrtarisht. Askush nuk e dinte", - ka rrëfyer Hemilton.

Një sjellje që ka ardhur për shkak të delikatesës së vendimit dhe piloti britanik ka preferuar ta evitojë faktin e të ndjerit i kushtëzuar. “Doja vërtet ta bëja për veten. Ndjeja se duhet të zbuloja çfarë ishte më e mira për mua", - ka shtuar Hemilton.

Ish-kampioni tregon si lindi tratativa me Ferrarin: "Ndodhi gjithçka shumë shpejt, e njoh Fred Vaseur prej kohësh. Isha i emocionuar në prag të sezonit të ri, por nuk e dija çfarë do të rezervonte e ardhmja, madje as për sa kohë do të garoj.

Ndihesha shumë i motivuar dhe entuziast. Mundësia erdhi dhe thashë: 'Ok, duhet të reflektoj'. Nuk kisha shumë kohë për t’u menduar dhe duhej të ndiqja vetëm instiktin tim. Dhe vendosa ta shfrytëzoj mundësinë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë