Futboll

Akord total mes Realit dhe Belingham, anglezi do të firmosë deri në 2029-ën

Gazeta Si – Goditja e madhe e verës për Realin e Madridit, sipas asaj që shkruajnë gazetat në Spanjë, është mesfushori anglez Jude Belingham. ‘Marca’ zbulon edhe detajet, duke sqaruar se firma mes palëve është thuajse e mbyllur.

Futbollisti i Borusias së Dortmundit do të transferohet në Spanjë gjatë verës për të nisur një aventurë të re me një nga klubet më të mëdha në botë. Sipas të përditshmes spanjolle, mesfushori i datëlindjes 2003 do të firmosë një kontratë deri në vitin 2029.

Belingham me fanellen e Anglise. Gazeta Si, 3 maj 2023

Belingham do t’i kushtojë Realit rreth 120 milionë euro. Njoftimi zyrtar për transferimin do të bëhet sapo të përfundojë Bundesliga. Borusia e bleu lojtarin në vitin 2020 nga Birmingemi për shifrën e 25 milionë eurove. Tani vlera e mesfushorit është shumëfishuar.

Për këtë futbollist janë interesuar gjatë kësaj periudhe edhe shumë klube nga Premier Liga, por Reali duket se ka siguruar tashmë shërbimet e njërit prej mesfushorëve më premtues dhe me më shumë kualitet. Belingham është një pasues i denjë i Modriç dhe Kros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë