Lajme

AKEP reagon ndaj Bashës

Kreu i AKEP, Ilir Zela, ka reaguar pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike Basha, i cili e konsideroi institucionin që ai drejton si polici e mendimit të kryeministrit Rama. Në një deklaratë shpërndarë mediave, Zela i sugjeron kryedemokratit të shohë punën e tij, ndërsa shkruan se në rastin më të mirë e konsideron deklaratës e Bashës të papjekur.

 “Zoti Basha, ju sugjeroj të shikoni punën tuaj, e cila uroj t’ju shkojë më mirë, e jo të përqendroheni në përçmimin e punës së të tjerëve. Përkundrazi. Deklarata juaj për AKEP-in është në rastin më të mirë e papjekur, ndërsa në rastin më të keq gjejani vetë emrin. AKEP-i nuk synon të mbyllë asnjë media “online” sepse po ta kishte këtë synim, do të mjaftonte zbatimi i ligjit ekzistues, miratuar me votën tuaj, për të mbyllur një pjesë të madhe të tyre”, thuhet në deklaratë.

Sipas Zelës, AKEP-i synon të ndihmojë formalizimin e të gjitha portaleve “online” dhe kërkesa për vendosjen e NIPT-it në seksionin KONTAKT të faqes së internetit, buron nga ligji, jo nga ndonjë synim i errët i AKEP-it.

“Për ta lehtësuar këtë shpjegim, unë ju ftoj ju dhe këdo që dëshiron, të klikojë një çfarëdo media “online” në vendin fqinj, Itali. Aty do të gjeni NIPT-in identifikues, që nuk është një damkë censure, por një kartë identiteti e veprimtarisë ekonomike. Dhe po zoti Basha, çdo media “online” (përjashto blogjet individuale) është një entitet tregtar dhe jo një frëngji nga ku persona të paidentifikuar qëllojnë, pa treguar as burimet e financimit e madje duke ofruar edhe hapësira për reklama tregtare apo shitje të natyrave të tjera”, lexohet në deklaratën e AKEP-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë