Treg

AKEP propozon uljen e tarifave të thirrjeve celulare brenda dhe jashtë vendit për 2024-ën

Nga Gazeta 'SI' - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka propozuar një ulje të tarifave për thirrjet midis operatorëve për brenda dhe jashtë vendit.

Kjo përmendet në analizën vjetore të tregut të telefonisë në vend, që bëhet po nga ky autoritet. Deri më tani, operatorët në Shqipëri përdornin një kosto të mesatarizuar të thirrjeve rreth 1.1 lekë për minutë. Për t’i çuar tarifat në kosto, që është edhe objektivi i AKEP, tarifat e thirrjeve duhet të ulen me rreth 32%.

Mbështetur në këtë dokument dhe në analizën e tregut, AKEP propozon që tarifa maksimale e terminimit të thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë në 1 mars 2024, në 0.89 lekë/minutë në 1 shtator 2024 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në 1 mars 2025.

AKEP vëren se, bazuar në praktikat rregullatore në vende të BE-së, orientimi i tarifave në kosto rekomandohet të kryhet nëpërmjet një reduktimi të përshkallëzuar.

Në praktikën rregullatore, uljet e përshkallëzuara janë konsideruar të zakonshme në caktimin e tarifave të orientuara drejt kostos, për t’u dhënë kohë operatorëve për të rregulluar gradualisht planet e tyre të biznesit, duke shmangur ndërprerjet e menjëhershme në treg, veçanërisht kur ndryshimi midis tarifave ekzistuese dhe atyre të orientuar drejt kostos është i lartë.

Miratimi i këtij propozimi do të jetësohet bashkë me analizën që është tashmë në process konsultimit dhe pritet të vlerësohet nga AKEP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë