Treg

Kompanitë celulare këmbëngulin në rritje çmimesh. AKEP: Të pafavorshme për qytetarët

Operatorët pretendojnë se tregu celular është në vështirësi financiare, Konkurrenca e ka nën hetim

Kompanitë celulare vazhdojnë këmbënguljen për të rritur çmimet e paketave për pajtimtarët me parapagesë dhe për bizneset.

Duke pretenduar se situata e tyre financiare është e vështirë që prej katër vitesh (Të dhënat e operatorëve, tregojnë se volumi i tregut shënoi 26.3 miliardë lekë, 2% më pak krahasuar me vitin 2018), ata shpresojnë të kenë qarkullim tek tregu me pakicë.

Por AKEP nisur nga krahasimi që u ka bërë çmimit aktual të paketave me ato që kompanitë pretendojnë të rrisin, gjykon se janë të pafavorshme për qytetarët dhe nuk i përligj çmimet e rritura.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike në një njoftim për shtyp në faqen zyrtare të internetit bën me dije se ka vijuar monitorimin e ndryshimeve të planeve tarifore të sipërmarrësve edhe përgjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore (data 13 mars 2020 e në vijim).

“Referuar detyrimeve që sipërmarrësit kanë në këtë kuadër kundrejt AKEP, vërehet se janë kryer njoftimet e nevojshme nëpërmjet sistemit RevZone brenda afatit pesëmbëdhjetë ditor që paraprin hedhjen në treg të paketave. Sipërmarrësit kanë vijuar edhe me njoftimet formale përkatëse, për 3 ditë radhazi, në mjetet masive të informimit publik.”- citon AKEP.

Sipërmarrësit Vodafone Albania sh.a dhe Abcom sh.p.k gjatë muajve mars-prill 2020 kanë njoftuar për planet tarifore Autoritetin e Konkurrencës dhe AKEP.

AKEP shpjegon se ndonëse i monitoron dhe i referon pranë Autoritetit të Konkurrencës, nuk përligjet për të miratuar paraprakisht paketat e reja me shërbime të kombinuara dhe çmimet përkatëse të tyre pasi tregu me pakicë i shërbimeve celulare nuk është në listën e tregjeve të përcaktuara për rregullim ex ante nga rregulloret përkatëse dhe nga Komisioni apo rregullatorët e BE.

Nga krahasimi i paketave standard është vërejtur nga AKEP se çmimet kanë pësuar një rritje jo të papërfillshme. Nga ana tjetër rezulton se shtimi i përmbajtjes së paketave duket qartësisht shumë më i favorshëm për pajtimtarët /individë në përgjithësi dhe pajtimtarët/biznes në veçanti, pasi konsiston në rritje të njësive të ofruara përsa i përket minutave kombëtare e ndërkombëtare kryesisht të njësive internet duke ofruar një vëllim të konsiderueshëm shtesë ne data/internet për pajtimtarët.

Kompanitë celulare tentuan që në muajin shkurt të risnin çmimet e të gjitha paketave me 200 lekë. Në atë kohë institucionet përgjegjëse heshtën. AKEP nuk iu përgjigj dy kërkesave për informacion nga ana e Gazetës “Si”, po ashtu edhe Autoriteti i Konkurrencës.

Por, pasi panë reagimin e medieve dhe impaktin që do të kishte kjo rritje ndër qytetarë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi në messhkurt hetim parapra të tregut të telefonisë celulare.

Objekti i hetimit ishte "nëse ka pasur apo jo një marrëveshje për rritjen e çmimeve mes kompanive celulare në mënyrë të koordinuar".

Por të në të njëjtën kohë ajo do të detyronte kompanitë të ndërprisnin menjëherë rritjen e tarifave deri sa të përfundonte hetimi. Në të kundërt do të aplikonte penalitet; gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Por, pavarësisht se tregu është nën hetim për tre muaj, kompanitë nuk kanë nguruar të këmbëngulin për rritjen e çmimeve të paketave duke vënë në dijeni AKEP.

Nisur nga ky njoftim, gazeta “Si”, komunikoi me Autoritetin e Konkurrencës, i cili u shpreh se nuk mund të japë asnjë informacion sepse në të kundërt, do të prishte hetimin.

Konkurrenca konfirmoi për Gazetën “Si” se tregu është nën hetim dhe vendimi i messhkurtit është ende në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë