Muzike

‘Akademia Teatrale’ për talentet e artit klasik, Ermonela Jaho rikthehet në Shqipëri si masterclass

Nga Gazeta Si - Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit hap thirrjen për programin e parë profesional muzikor në Shqipëri “Akademia Teatrale”, që do të kontribuojë në mjeshtërinë artistike të talenteve të artit klasik.

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho do të rikthehet për të kontribuar me një masterclass në çeljen e kësaj akademie.

Drejtoresha e përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, shprehet se është një projekt ndërtuar mbi përvoja të suksesshme ndërkombëtare.

“Me mbështetjen dhe eksperiencën e sopranos ikonike me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, e cila rikthehet në atdhe me titullin ‘Artistja e Vitit’, akorduar nga ‘Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023’, për të kontribuar me një masterclass, nga data 14-18 prill, që shënjon edhe çeljen e ‘Akademisë Teatrale 2023’. Një projekt i ndërtuar mbi bazën e përvojave më të suksesshme ndërkombëtare”, shkruan drejtoresha Voshtina në rrjetet sociale.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit në bashkëpunim me qendrën “Gjenerata e re”, njoftoi një ditë më parë nisjen e programit të parë profesional muzikor në Shqipëri, “Akademia Teatrale”, ku studentët e akademisë do të trajnohen rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, trajnimeve specifike të stilit dhe interpretimit të “Bel Cantos” italiane.

Kjo e fundit e përfaqësuar nga sopranoja me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho.

Akademia do të finalizohet me dy tituj të operës

Nëpërmjet kësaj strukture ndërveprimi mes artistësh profesionistë siç është “Akademia Teatrale”, të rinjve do t’u krijohet mundësia të bëhen pjesë e masterclass-ve, nën kujdesin e figurave artistike prestigjioze, si dhe të marrin mësime individuale nga mësues dhe artistë të njohur ndërkombëtarë.

Çdo kandidati fitues do t’i jepet mundësia që të marrë njohuri të reja artistike. Ndërkaq, pjesë e stafit të akademisë do të jenë pedagogë, koreografë, balet-maestro, dirigjentë të shquar e shumë figura profesioniste të artit të muzikës, operës e baletit. Masterclass-i do të zhvillohet në bazën e nevoja artistike që ka TKOBAP-ja për sezonin artistik 2023 dhe mbi disiplinim e muzikës së dhomës nga repertori gjerman. Kjo me qëllim njohjen dhe përvetësimin teknik nga të rinjtë e talentuar, si në drejtim të muzikës operistike, po ashtu edhe të muzikës së dhomës. Në këtë kuadër, “Akademia Teatrale” do të finalizohet me 2 tituj të rëndësishëm të operës ndërkombëtare, siç është opera “Atila” dhe “Carmen”. Për vitin 2023 janë planifikuar 5 ditë studimi sezonin e parë, dhe 4 ditë studimi në sezonin e dytë. Aplikimi do të qëndrojë i hapur deri më 31 mars. Përzgjedhja e kandidatëve potencial nga komisioni i vlerësimit do të bëhet nga data 1-7 prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë