Ekonomi

Taksa për të gjithë! Edhe për pagat e të varfërve

Ministri i Ekonomisë dhe Financave ka propozuar heqjen fare të pragut të patatueshëm për pagat gjatë diskutimeve për projektbuxhetin 2019 në kuvend.

“Më thatë për ndryshimin e Tatimin e të Ardhurave Personale. Do ta diskutojmë kur të vijmë tek diskutimi nen për nen. Unë besoj se janë rreth 55% të punësuar që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht nëpërmjet tatimit të të ardhurave personale. Besoj se mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun nga 30 mijë ta çojmë në 10 mijë lekë, ose të fusim në sistem me 1.5% taksë të gjithë të punësuarit. Unë e kam bërë një propozim dhe besoj se do të diskutohet në të ardhmen që t’i fusim të gjithë kontribuues me një normë prej 1.5% të tatimit mbi të ardhurat personale,”- tha ministri Arben Ahemtaj në Komisionin e Ekonomisë.

Një javë më parë deputetja Blerina Gjylameti kërkoi gjatë diskutimeve të paketës fiskale në kuvend rritjen e pragut të pagës së patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë, duke argumentuar se niveli i pagave është rritur dhe me rritjen e pragut do të ndihmoheshin individët me paga të ulëta.

Propozimi i cili u mbështet një javë më parë nga kreu i komisionit Erion Braçe, u kundërshtua me forcë nga Ministri Ahmetaj me argumentin se do të favorizoheshin edhe ata me paga të larta.

“Momentin që prek dyshemenë apo tavanin, dyshemenë në këtë rast i ke dhënë mua dhe vetes lehtësi fiskale. Që nuk duhet ta bësh. Është 9,6 mld lekë efekt në buxhetin e shtetit. Ajo fashë është në progresivitet me të gjithë nivelin e pagave. Në këndvështirmin tim presonal duhet ta ulnim, jo ta rrisnim. Por nuk është objekt për sot. Jam absolutisht kundër që të rishitet dyshemeja.Është gabim fiskal. Në të drejtën tuaj legjitime ai që fiton më pak, të paguajë më pak. Kjo bënë që të përfitojmë edhe ne, jo. Kjo e rrëzon progresivitetin që është ndërtuar brenda përshkallëzimit.”- u shpreh Ministri Ahmetaj një javë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë